Zyrtari amerikan i inteligjencës tregon se kë e parapëlqen Rusia për president të ShBA-së
Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë ndonjë ndryshim të parapëlqimit të Rusisë nga zgjedhjet e kaluara presidenciale në ShBA sa i përket kandidatit që do të donte ta fitonte garën, tha të martën një zyrtar amerikan i inteligjencës, duke lënë të kuptohej se Moska përsëri e parapëlqen fitoren e republikanit Donald Trump.
Zyrtari amerikan, duke folur para gazetarëve rreth sigurisë së zgjedhjeve në ShBA, nuk ia përmendi emrin ish-presidentit dhe atij që pritet të jetë i nominuar i Partisë Republikane, kur u pyet se kë e dëshiron Moska si president të ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.
Megjithatë, ai dha shenjë se Rusia e parapëlqen Trumpin, duke thënë se komuniteti amerikan i inteligjencës nuk i kishte ndryshuar vlerësimet nga zgjedhjet e kaluara.
Sipas atyre vlerësimeve, Rusia ishte përpjekur që përmes fushatave të ndikimit ta ndihmonte Trumpin t’i fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 kundër demokrates Hillary Clinton dhe ato të vitit 2020 kundër presidentit Joe Biden.
“Ne nuk kemi vërejtur një ndryshim të parapëlqimeve të Rusisë për garën presidenciale nga zgjedhjet e kaluara, duke e marrë parasysh rolin që ShBA-ja është duke e luajtur sa i përket Ukrainës dhe politikën më të gjerë ndaj Rusisë” – tha zyrtari i Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare – ODNI.
Ambasada ruse nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Zyrtarë të fushatës së Trumpit u përgjigjën duke thënë se Bideni është i dobët ndaj Rusisë, siç është dëshmuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
“Kur presidenti Trump ishte në Zyrën Ovale, Rusia dhe të gjithë armiqtë e Amerikës ishin të frenuar, sepse ata kishin frikë se si do të kundërpërgjigjeshin Shtetet e Bashkuara” – tha në një deklaratë Karoline Leavitt, sekretare për shtyp e fushatës së Trumpit.