Zgjedhjet në Francë: Macron dhe Le Pen do të luftojnë për presidencë
Emmanuel Macron ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, kurse rivalja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen do të përballet me të në raundin e dytë.
Macron doli i pari, mirëpo sondazhet tregojnë se gara në balotazh mund të jetë shumë më e ngushtë.
Le Pen u bëri thirrje votuesve që nuk e kanë votuar Macronin që t'i bashkohen asaj dhe "të rivendosin rregullin në Francë".
Me 97% të rezultateve të numëruara, Emmanuel Macron kishte 27.6% të votave, Marine Le Pen 23.41% dhe Jean-Luc Mélenchon 21.95%.
Marine Le Pen mund të llogarisë në mbështetjen e votuesve të Eric Zemmour, të cilit nacionalizmi i ashpër i dha atij vendin e katërt me 7%, kurse nacionalisti, Nicolas Dupont-Aignan, gjithashtu i ka dhënë mbështetje asaj, kështu që Le Pen tashmë mund të llogarisë në 33% të votave të përgjithshme.
Fushata zhgjedhore ishte gjallëruar vetëm para përfundimit të saj, dhe Macron kishte në plan të ekspozonte lidhjet e ngushta të Le Pen me Kremlinin. Edhe pse ajo e ka dënuar luftën e Vladimir Putinit, ajo e kishte vizituar atë përpara zgjedhjeve të kaluara më 2017, ndërsa partia e saj kishte marrë kredi nga Rusia.
Macron në anën tjetër ishte shprehur se ai do një Francë që bën aleancë me demokraci të mëdha për të mbrojtur veten, e jo një shtet që do të largohej nga Evropa dhe për aleatë do të kishte vetëm populistët dhe ksenofobët.
Një në katër votues të rinj mbështesin presidentin, megjithëse më shumë se një në tre të grupmoshës 18-24 vjeç zgjodhën Jean-Luc Mélenchon, sipas anketuesve të Elabe.
Marine Le Pen performoi më së miri te personat e moshës 35-64 vjeç, ndërsa Macron u favorizua nga personat mbi 65 vjeç.
