Zelenskyy do të negociojë me Trump për marrëveshjen e paqes SHBA–Rusi që kërkon 'lëshime të dhimbshme'
Volodymyr Zelenskyy ka thënë se do të negociojë me Donald Trump lidhur me një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja, i cili kërkon që Ukraina të bëjë lëshime të dhimbshme për t’i dhënë fund pushtimit të vendit nga Kremlini, shkruan The Guardian.
Zyra e presidentit konfirmoi të enjten se ai kishte marrë draftin e planit të paqes, i përgatitur nga zyrtarë amerikanë dhe rusë, dhe se do të bisedonte me Trump në ditët në vijim rreth “mundësive ekzistuese diplomatike dhe pikave kryesore që janë të nevojshme për paqe”.
Në adresimin e tij të përnatshëm me video, Zelenskyy tha se Ukraina nuk do të bëjë asgjë që të pengojë përpjekjet diplomatike.
“Ukrainës i duhet paqja dhe Ukraina do të bëjë gjithçka që askush në botë të mos thotë se po shkatërrojmë diplomacinë. Kjo është e rëndësishme”, tha Zelenskyy, duke shtuar se Ukraina nuk do të lëshojë deklarata të “nxituara”.
“Detyra numër një për të gjithë është një proces diplomatik konstruktiv me Amerikën dhe të gjithë partnerët tanë. Është jetike të kemi mbështetje të qëndrueshme për ushtrinë tonë dhe për të gjitha operacionet tona të planifikuara mbrojtëse dhe goditjet në thellësi.”
Reagimi i kujdesshëm nga administrata presidenciale e Ukrainës erdhi pas kritikave të ashpra nga disa zyrtarë ukrainas, të cilët e quajtën planin “absurd” dhe të papranueshëm.
Sipas raportimeve, propozimi gjithëpërfshirës me 28 pika i ngjan kërkesave të bëra nga Moska menjëherë pas pushtimit në shkallë të plotë në fillim të vitit 2022. Thuhet se ai është hartuar nga zyrtarë rusë dhe amerikanë, me mbështetjen e Trumpit. Kievi nuk është konsultuar. Një diplomat evropian tha se për planin kishte mësuar vetëm kur hapi lajmet.