Zelensky thotë se Ukrainës iu harxhuan raketat gjatë sulmit që e shkatërroi centralin energjetik - NACIONALE

Zelensky thotë se Ukrainës iu harxhuan raketat gjatë sulmit që e shkatërroi centralin energjetik

2 javë më parë

nga NACIONALE

Mungesa e raketave të mbrojtjes ajrore ia pamundësoi Ukrainës sprapsjen e një sulmi rus me raketa javën e kaluar që shkatërroi një central energjie në rajonin e Kievit, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Centrali me energji termale “Trypilska” u shkatërrua gjatë një sulmi muajin e kaluar. Ai ishte objekti më i madh energjetik afër Kievit dhe ishte ndërtuar për të pasur kapacitet prej 1.800 megavatësh, më shumë se nevojat e paraluftës të qytetit më të madh të Ukrainës.

Centralet e tjera dhe importet e kanë mbuluar mungesën e rrymës nga ky objekt tani për tani, por banorëve u është bërë thirrje për ta kursyer energjinë elektrike, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ishin 11 raketa duke fluturuar. Ne i shkatërruam shtatë të parat dhe katër [të tjerat] e shkatërruan Trypillia-n. Pse? Sepse ishin zero raketa. Neve na u harxhuan raketat për ta mbrojtur Trypillia-n” – tha Zelensky në një intervistë me televizionin amerikan, PBS.

Më herët këtë muaj, Zelensky kishte paralajmëruar se Ukraina, që më parë ka raportuar mungesë të vazhdueshme municioni, mund të mbetet pa raketa të mbrojtjes ajrore, nëse Rusia e vazhdon fushatën e saj të bombardimit intensiv me raketa me rreze të gjatë.

Paralajmërimi i presidentit ukrainas erdhi pas disa javëve me sulme ruse ndaj infrastrukturës së energjisë, qytezave e qyteteve përmes përdorimit të një arsenali të madh të raketave e dronëve.

Aleatët perëndimorë kanë ngurruar që t’i dërgojnë mbrojtje ajrore shtesë Ukrainës, e cila ka thënë se i nevojiten 25 sisteme “Patriot” për ta mbuluar territorin e vet në mënyrën e duhur me mbrojtje. Pas thirrjeve urgjente nga Kievi, Gjermania është zotuar për dhurimin e një sistemi të tillë.

“Është shumë për ta ruajtur veten tonë. Është shumë vështirë për ne. Po luftojmë kundër një ushtrie të madhe. Ata nuk mërziten për jetën e ushtarëve të tyre. Nuk po i trajnojnë. Ata nuk janë aq të trajnuar sa ushtarët tanë” – tha Zelensky për rusët.

“Por ka shumë prej tyre. Kanë numër të pakufizuar njerëzish dhe shumë predha. Ata përdorin mijëra dronë kundër nesh. Më thoni, ju lutem, si mund të luftoni kundër këtyre mijërave, nëse nuk keni armë për t’i neutralizuar? Ata kanë aeroplanë që nisen nga Krimea dhe na përfshijnë në largësi prej më shumë se 300 kilometrash. Mund të jetë mbi 300, 400, 500 kilometra, varësisht nga ajo se sa thellë shënjestrojnë ata nga Krimea” – shtoi presidenti ukrainas.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Mike Johnson, i cili është anëtar i Partisë Republikane në opozitë, është ballafaquar me presion të shtuar për të vepruar rreth kërkesës së presidentit Joe Biden për të ndarë miliarda dollarë shtesë për asistencë sigurie për Izraelin, Ukrainën dhe Tajvanin.

Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur Senati i Shteteve të Bashkuara e miratoi pakon 95-miliardëshe të ndihmave për vendet e huaja, në të cilën përfshihen 60 miliardë dollarë për Ukrainën, por legjislacioni ka ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve./Nacionale

Lajme të ngjashme