Juventus do ta apelojë vendimin për borxhin 9.8 milionësh ndaj Cristiano Ronaldos - NACIONALE

Juventus do ta apelojë vendimin për borxhin 9.8 milionësh ndaj Cristiano Ronaldos

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mediat italiane kanë shkruar të martën se Juventus do ta apelojë vendimin që u mor në muajin prill, ku u vendos se “Bianconerët” duhet të paguajnë edhe 9.8 milionë euro drejt Cristiano Ronaldos.

Më herët në prill, një gjykatë arbitrazhi në Itali vendosi që Juventusi është përgjegjës për t'i paguar Ronaldos një shumë prej 9,774 milionë euro, në lidhje me manovrat e pagave gjatë pandemisë Covid-19.

Juventus kishte bërë një marrëveshje private me Ronaldon dhe disa nga shokët e tij të skuadrës në atë kohë, duke ia shtyrë pagat deri në një datë të mëvonshme. Ronaldo më pas u largua nga Torino në vitin 2021 me 19.5 milionë euro pagë të papaguar dhe donte që shuma të shlyhej plotësisht.

Gjykata vendosi më 17 prill se klubi dhe lojtari ishin po aq përgjegjës, dhe kështu, Zonja e Vjetër u urdhërua të paguante gjysmën e 19.5 milionë eurove, plus interesin, që i detyrohej portugezit.

Mirëpo, Juventusi nuk e ka pranuar aq lehtë vendimin e gjykatës, me “Tuttomercatoweb” që raporton se Juventus do të nis një apel rreth këtij vendimi në fillimin e muajit maj,

Klubi kishte lëshuar deklaratën e tij për këtë çështje disa javë më parë, duke pretenduar se vendimit "i mungonte ndonjë efekt detyrues".

Ende nuk është sqaruar se sa kohë i duhet Juventusit për të bërë pretendimin e tyre, por ka të ngjarë që ata janë aktualisht brenda periudhës së apelimit.

Kjo periudhë mund të jetë diku midis 30 ditëve dhe gjashtë muajve pas vendimit origjinal.

Lajme të ngjashme