Zelensky thotë se Ukrainës i duhen 25 sisteme “Patriot” dhe më shumë aeroplanë F-16
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se vendit të tij i nevojiten 25 sisteme “Patriot” të mbrojtjes ajrore për ta mbrojtur plotësisht hapësirën e vet ajrore dhe për ta mbrojtur tërë shtetin nga sulmet ruse me raketa, duke shtuar se ai dëshiron që partnerët perëndimorë të dërgojnë më shumë aeroplanë luftarakë të tipit F16 se ata për të cilët janë zotuar.
Në konferencën e tij të parë për gazetarë pas kthimit nga një udhëtim në Shtete të Bashkuara, Zelensky tha se ai është i gatshëm për të punuar me republikanin Donald Trump, nëse ai i fiton zgjedhjet e nëntorit. Presidenti ukrainas tha se nuk frikësohet nga mundësia e fitores së Trumpit, duke shtuar se është i bindur që shumica e republikanëve e përkrahin Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, raporton agjencia “Associted Press”.
Zelensky tha të dielën se ishte “i tmerruar” nga tentimi për ta vrarë Trumpin dhe i dëshiroi shërim të shpejtë.
Vonesa 6-mujore e asistencës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, kontribuuesja më e madhe për Ukrainën, nënkupton që forcat e Kievit “e humbën iniciativën” në vijën e frontit, tha Zelensky.
Që nga rifillimi i dërgesave amerikane të ndihmave amerikane në prill, Ukraina është munduar që të bllokojë një ofensivë ruse në zonat lindore.
Zelensky nuk tregoi se sa sisteme “Patriot” ka Ukraina tash për tash, edhe pse bëhet fjalë për shumë më pak se 25 sistemet që ai thotë se i nevojiten Ukrainës, përderisa Rusia e ka goditur sistemin kombëtar të energjisë elektrike.
ShBA-ja dhe aleatë të tjerë të NATO-s javën e kaluar premtuan se do t’i japin Ukrainës dhjetëra sisteme të mbrojtjes ajrore muajve të ardhshëm, përfshirë të paktën katër sisteme “Patriot”, të cilat janë të sofistikuara dhe të shtrenjta.