Zelensky thotë se Ukraina mund të prodhojë katër milionë dronë në vit - NACIONALE

Zelensky thotë se Ukraina mund të prodhojë katër milionë dronë në vit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ukraina mund të prodhojë katër milionë dronë në vit dhe po e shton shpejt prodhimin e armëve të tjera, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Duke folur të martën me përfaqësues të lartë të dhjetëra prodhuesve të huaj të armëve në Kiev, Zelensky tha se Ukraina tashmë kishte kontrata për prodhimin e 1,5 milion dronëve këtë vit, raporton agjencia “Reuters”.

Prodhimi i dronëve pothuajse nuk ekzistonte në Ukrainë para fillimit të pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

“Në kushte tepër të vështira të luftës së plotë, nën sulme të vazhdueshme ruse, ukrainasit arritën që të ndërtonin një industri të re të mbrojtjes pothuajse të re” – tha Zelensky.

Ukraina e trefishoi prodhimin e përgjithshëm të armëve më 2023 dhe pastaj e dyfishoi atë vëllim përsëri për vetëm tetë muajt e parë të këtij viti, tha në tubimin e njëjtë kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal. Zyrtarët ukrainas nuk dhanë shifra specifike.

Më shumë se 31 muaj pas fillimit të pushtimit rus dhe kur fundi i luftës nuk po shihet, Ukraina tani shpenzon rreth gjysmën e buxhetit shtetëror – ose rreth 40 miliardë dollarë – në fushën e mbrojtjes.

Ukraina gjithashtu pranon sasi të madhe të përkrahjes ushtarake e financiare nga aleatët e saj perëndimorë.

Rusia, që është shtet shumë më i madh e më i pasur se fqinji jugperëndimor, pritet që t’i rrisë shpenzimet ushtarake për 25 për qind vitin e ardhshëm, në rreth 145 miliardë dollarë./Nacionale

Lajme të ngjashme