Zelensky thotë se Ukraina do ta nisë prodhimin e përbashkët të armëve me ShBA-në
Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që ta nisin prodhimin e përbashkët të armëve, duke i mundësuar Kievit që ta fillojë prodhimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, tha të premten presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke e përmbyllur vizitën në ShBA.
Në adresimin e tij të përditshëm para ukrainasve, Zelensky tha se përmes kësaj marrëveshjeje afatgjate do të hapen vende pune dhe një bazë e re industriale në Ukrainë, vend që është ballafaquar me shkatërrim të ekonomisë nga pushtimi rus, raporton agjencia “Reuters”.
“Ishte një vizitë shumë e rëndësishme në Uashington, rezultate shumë të rëndësishme”- tha Zelensky në një video të publikuar në uebfaqen presidenciale të Ukrainës të premten në mëngjes.
“Dhe një marrëveshje afatgjate – ne do të punojmë së bashku në mënyrë që Ukraina t’i prodhojë armët e nevojshme së bashku me Shtetet e Bashkuara. Prodhimi i përbashkët në (fushën e) mbrojtje me Shtetet e Bashkuara është gjë historike”- shtoi ai.
Kievi i ka shtuar përpjekjet për ta rritur prodhimin vendës të armëve sa më shumë që ka qenë e mundshme, sepse lufta e gjatë ka krijuar kërkesë të madhe për armë dhe municion për t’u mbrojtur nga sulmet ruse përgjatë vijës së frontit të gjatë një mijë kilometra. Sulmet ajrore ruse në mbarë Ukrainën kanë vrarë shumë njerëz e kanë shkaktuar dëme të mëdha.
Zelensky tha se Ministria për Industri Strategjike, e cila e mbikëqyr prodhimin e armëve në Ukrainë, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me tri shoqata, që bashkojnë mbi dy mijë kompani amerikane të mbrojtjes, për punë të mundshme në të ardhmen në Ukrainë.
“Ne po përgatitemi që të krijojmë një ekosistem të ri të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara për të prodhuar armë për ta fuqizuar më tej lirinë dhe për ta mbrojtur jetën së bashku”- shtoi presidenti ukrainas, pa zbuluar hollësi të tjera.
Ukraina varet shumë nga përkrahja ushtarake perëndimore. Për ta zvogëluar këtë varësi, Zelensky dhe ekipi i tij kanë bërë përpjekje për reforma në industrinë e brendshme të mbrojtjes për t’i modernizuar prodhuesit vendës dhe për t’i shtuar furnizimet për vijën e frontit.
