Zelensky thotë se Rusia po shqyrton plane për të sulmuar një vend të NATO-s nga Bjellorusia
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të premten se Rusia po synon që ta tërheqë Bjellorusinë më thellë në luftën e saj në Ukrainë dhe po shqyrton plane për ta sulmuar pjesën veriore të vendit të tij ose një shtet të NATO-s nga territori bjellorus.
“Ne vazhdojmë t’i dokumentojmë përpjekjet e Rusisë për ta tërhequr Bjellorusinë më thellë në luftën kundër Ukrainës” – tha Zelensky në rrjetin “Telegram” pas një takimi me zyrtarë ushtarakë e të inteligjencës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai tha se Ukraina ka të dhëna për kontakte shtesë mes Rusisë dhe presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, për ta bindur atë që t’u bashkohet “operacioneve të reja agresive ruse”.
“Rusia është duke shqyrtuar plane për operacione në jug dhe veri të territorit bjellorus – qoftë kundër drejtimit Chernihiv – Kiev në Ukrainë, qoftë kundër njërit prej vendeve të NATO-s drejtpërdrejt nga territori i Bjellorusisë” – tha ai, pa dhënë hollësi të mëtejme.
Bjellorusia kufizohet me Ukrainën në jug, ndërsa me vendet e NATO-s: me Poloninë në perëndim, me Lituaninë në veriperëndim dhe me Letoninë në veri.
Nuk pati kundërpërgjigje të menjëhershme nga Moska ose Minsku ndaj komenteve të Zelenskyt. Rusia nuk i zbulon planet e veta ushtarake në Ukrainë, pasi ato janë të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Lukashenkoja, njëri nga aleatët më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, lejoi që territori i vendit të tij të përdoret për një pjesë të operacioneve ruse në shkurtin e vitit 2022 kundër Ukrainës, edhe pse nuk ka dërguar trupa bjelloruse për të luftuar atje.
Bjellorusia është pajtuar që ta lejojë dislokimin e armëve bërthamore taktike dhe raketave hipersonike “Oreshnik” nga Rusia në territorin e saj.
Zelensky tha muajin e kaluar se Ukraina kishte të dhëna të inteligjencës se Rusia po bënte përgatitje që tregojnë se do të përpiqej edhe një herë që ta përfshinte Bjellorusinë në luftën e saj kundër Ukrainës.
“Ukraina pa dyshim se do ta mbrojë veten dhe popullin e saj, nëse Aleksander Lukshashenkoja e merr rrugën e gabuar dhe vendos që ta mbështesë këtë qëllim rus” – tha ai.
Presidenti ukrainas tha se i ka udhëzuar forcat mbrojtëse për të përgatitur një plan të kundërpërgjigjes dhe për ta forcuar mbrojtjen në rajonet veriore, Chernihiv dhe Kiev./Nacionale