Zelensky thotë se njerëz të Koresë së Veriut po luftojnë me rusët në Ukrainë - NACIONALE

Zelensky thotë se njerëz të Koresë së Veriut po luftojnë me rusët në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të dielën se marrëdhëniet e mbrojtjes me partnerët e vendit të tij duhet të ndryshojnë pas dërgimit të njerëzve dhe armëve nga Koreja Veriore për forcat ruse në territorin ukrainas.

Kremlini të enjten i hodhi poshtë pohimet e Koresë së Jugut që Koreja e Veriut mund të ketë dërguar personel ushtarak për ta ndihmuar Rusinë kundër Ukrainës dhe se mund të jetë duke shqyrtuar një dislokim më të madh, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne shohim që aleanca mes Rusisë dhe regjimeve të tilla si ai i Koresë së Veriut po bëhet më i fortë. Kjo nuk është vetëm për transferimin e armëve, është në të vërtetë për transferimin e njerëzve nga Koreja e Veriut te forcat e armatosura të pushtuesve” – tha Zelensky në adresimin e zakonshëm të mbrëmjes.

“Është e qartë se nën kushte të tilla, marrëdhënia jonë me partnerët tanë ka nevojë që të evoluojë. Vija e frontit ka nevojë për më shumë mbështetje. Po flasim për më shumë kapacitete me rreze të gjatë për Ukrainën dhe furnizime më të qëndrueshme për forcat tona, më shumë sesa një listë e thjeshtë e pajisjeve ushtarake” – shtoi presidenti ukrainas.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, tha të martën se “ekziston mundësi e madhe” që Koreja e Veriut do të mund të dislokonte trupa për ta ndihmuar Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Ai gjithashtu tha në një seancë dëgjimore në Kuvend se me gjasë ishin të vërteta raportimet se oficerë të ushtrisë së Koresë së Veriut janë vrarë gjatë një sulmi ukrainas në territorin e kontrolluar nga forcat ruse.

Kur u pyet të enjten nëse Koreja e Veriut ishte duke dërguar trupa të saj për të luftuar në Ukrainë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Kjo duket si një copëz tjetër e lajmeve të rreme.”

Lajme të ngjashme