Zelensky thotë se ka pajtim me zyrtarët amerikanë për pikat kyçe të planit të rindërtimit - NACIONALE

Zelensky thotë se ka pajtim me zyrtarët amerikanë për pikat kyçe të planit të rindërtimit

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të mërkurën se vendi i tij është pajtuar për pika kyçe të një plani të rindërtimit për Ukrainën që e ka bazën në parime të sigurisë solide në diskutime me sekretarin e Thesarit të ShBA-së, Scott Bessent, dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.

Zelensky, i shoqëruar në këto diskutime nga kryeministrja Yulia Svyrydenko, zyrtarë të tjerë e oficerë të lartë ushtarakë, tha se bisedimet u përqendruan në një “dokument ekonomik”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në diskutime nga pala amerikane morën pjesë dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, dhe shefi ekzekutiv i kompanisë për menaxhimin e investimeve “BlackRock”, Larry Fink.

“Parimet e një dokumenti ekonomik janë tërësisht të qarta dhe ne jemi plotësisht në vijë me palën amerikane” – tha Zelensky.

“Një parim i përbashkët i rëndësishëm është se, që rindërtimi të jetë i cilësisë së lartë dhe rritja ekonomike pas kësaj lufte të jetë e prekshme, siguria e vërtetë duhet të jetë në bërthamë. Kur ka siguri, aty është edhe gjithçka tjetër”- shtoi ai.

Zelensky tha se po vazhdonte puna për “dokumentin themelor” të 20 pikave që e kanë për qëllim përfundimin e luftës që po i afrohet 4-vjetorit të saj.

Sipas tij, dy dokumente të tjera të ndërlidhura kanë të bëjnë me garancitë e sigurisë dhe çështjet ekonomike.

Lajme të ngjashme