Zelensky thotë se bisedimet me amerikanët s’ishin të lehta por produktive
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur një fjalim për ta shënuar përfundimin e bisedimeve me aleatët në Berlin. Ai foli në Forumin Gjermano-Ukrainas të Biznesit.
Sipas tij, pas dy ditëve në Berlin, bisedimet me palën amerikane nuk ishin të lehta, por shumë productive, raporton gazeta “The Guardian”.
Ai tha, gjithashtu, se Rusia po i shfrytëzon sulmet e pamëshirshme të saj si levë në bisedime, duke theksuar se asnjë central i energjisë elektrike në Ukrainë nuk është kursyer nga sulmet.
Sidoqoftë, asnjë hollësi rreth ndonjë kompromisi të prekshëm që mund të jetë bërë nuk ka dalë në pah. Dy palët po e diskutojnë planin amerikan të paraqitur para disa javëve që janë ndryshuar gjatë bisedimeve të tjera në Gjenevë dhe Florida.
Hollësitë e sakta nuk janë publike, por Zelensky ka thënë se Kievi nuk do të pranojë asnjë koncesion territorial, që thuhet se përmendet në planin amerikan.
Ndërkohë, kancelari gjerman, Friedrich Merz, i mirëpriti ato që i quajti “diskutime produktive” në Berlin dhe “një momentum të madh diplomatik” për t’i dhënë fund luftës.
Ai shtoi se ekziston “një mundësi për proces të vërtetë të paqes për Ukrainën”, edhe nëse bisedimet janë ende “në fazat e hershme”. Megjithatë, udhëheqësi gjerman theksoi se “ndoshta për herë të parë” që nga fillimi i luftës, arritja e armëpushimit duket në të vërtetë e mundshme.
Merzi e vlerësoi lart drejtpërdrejt presidentin amerikan, Donald Trump, duke thënë se pa “përpjekjet e palodhshme” dhe “zotimit” të tij, momentumi i ri nuk do të kishte ardhur.
Sipas tij, përderisa Rusia po vazhdon që të luajë për të fituar kohë me kërkesa maksimaliste, pala evropiane në tavolinë është e vendosur për progres në bisedime./Nacionale