Zelensky të premten në Turqi për të folur me Erdoganin për marrëveshjen e drithit - NACIONALE

Zelensky të premten në Turqi për të folur me Erdoganin për marrëveshjen e drithit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do ta vizitojë Turqinë të premten për të biseduar me homologun turk, Rexhep Erdogan, rreth marrëveshjes për eksportimin e drithit nëpër Detin e Zi dhe zhvillimet në luftën e Ukrainës, raportoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve, “Anadolu”.

Turqia dhe Kombet e Bashkuara ndërmjetësuan për marrëveshjen e nënshkruar vitin e kaluar, me të cilën Ukrainës i mundësohet eksportimi i drithit dhe prodhimeve të tjera bujqësore nga portet e saj e nëpër Detin e Zi, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, Rusia, e pakënaqur për disa aspekte të zbatimit të marrëveshjes, ka kërcënuar se nuk do ta lejojë vazhdimin e afatit të saj pas 17 korrikut.

Agjencia “Anadolu” raportoi se Zelensky dhe Erdogani do të zhvillojnë bisedë sy më sy, por do të marrin pjesë edhe në takime të delegacioneve.

Erdogani, i rizgjedhur muajin e kaluar edhe për pesë vjet të tjera në krye të shtetit, është munduar që të mbajë lidhje të forta edhe me Kievin, edhe me Moskën që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Turqia nuk është bërë pjesë e aleatëve të NATO-s për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, por e ka furnizuar Ukrainën me armë dhe ka bërë thirrje që sovraniteti i saj të respektohet.

Lajme të ngjashme