Zelensky: S'e tradhtuam Ukrainën më 2022, s'do ta tradhtojmë as tash - NACIONALE

Zelensky: S'e tradhtuam Ukrainën më 2022, s'do ta tradhtojmë as tash

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se ai nuk do ta “tradhtojë” vendin e vet, përderisa doli kundër një plani të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës sipas kushteve që i shkojnë më shumë për shtati Rusisë. Zelensky pranoi se ka rrezik që të humbet Uashingtoni si aleat.

Presidenti ukrainas tha se Ukraina ballafaqohet me njërin nga momentet më sfiduese në historinë e saj. Këto komente i bëri në një fjalim para kombin, që e publikoi në rrjete sociale, ku shtoi se do të propozojë “alternativa” për planin 28-pikësh të homologut amerikan, Donald Trump, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Në Moskë, Kremlini e kërcënoi Zelenskyn se do të humbë më shumë territore, nëse nuk ulet për të negociuar.

“Unë do të paraqes argumente, do të bind, do të ofroj alternativa” – tha presidenti ukrainas.

Duke sjellë ndër mend se si e kishte udhëhequr kundërpërgjigjen ndaj fillimit të pushtimit rus në shkurtin e vitit 2022, ai tha: “Ne nuk e tradhtuam Ukrainën atëherë, nuk do ta bëjmë këtë tani.”

Zelensky bisedoi të premten me nënpresidentin amerikan, JD Vance, sipas zyrës së tij, e cila nuk dha hollësi për diskutimin.

Zyra e Zelenskyt tha të enjten se ai planifikon që të flasë drejtpërdrejt me Trumpin “ditëve në vijim”.

Ai gjithashtu zhvilloi një telefonatë urgjente me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë, të cilët janë lënë jashtë diskutimeve për planin amerikan.

Lajme të ngjashme