Zelensky paralajmëron sulm ‘të egër’ rus para Ditës së Pavarësisë së Ukrainës
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar ukrainasit që të jenë vigjilentë në javën e ardhshme ndërsa përgatiten të festojnë Ditën e Pavarësisë së tyre, pasi shpërthime të reja kanë goditur Krimenë dhe një raketë la të plagosur 12 civilë pranë një centrali bërthamor.
Zelensky tha të shtunën vonë se, ukrainasit nuk duhet të lejojnë që Moska të "përhapë dëshpërim dhe frikë" mes tyre ndërsa shënojnë 31 vjetorin e pavarësisë nga sundimi sovjetik.
“Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se këtë javë Rusia mund të përpiqet të bëjë diçka veçanërisht të shëmtuar, diçka veçanërisht të egër”, tha Zelensky përpara përvjetorit më 24 gusht, i cili gjithashtu shënon gjashtë muaj që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.
Ndërkohë, guvernatori i Kharkiv Oleh Synehub ka bërë të ditur se në këtë qytet shtetrrethimi do të zgjasë për gjithë ditën të mërkurën, pasi qyteti verilindor është duke u goditur vazhdimisht nga bombardimet ruse.
Zelensky në fjalimin e tij gjithashtu iu referua një serie shpërthimesh në ditët e fundit në Krime, territori ukrainas i kapur dhe aneksuar nga Rusia gjatë një inkursioni të vitit 2014.
Edhe pse Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet atje, analistët kanë thënë se disa nga këto sulme janë bërë të mundura nga pajisjet e reja që po përdorin forcat ukrainase.
“Ju mund ta ndjeni në ajër këtë vit se okupimi në Krime është vetëm i përkohshëm dhe se Ukraina po kthehet”, është shprehur Zelensky.
Në sulmin e fundit në Krime, guvernatori i emëruar nga Rusia – i cili nuk njihet nga Ukraina apo qeveritë perëndimore – tha se të shtunën në mëngjes një dron kishte goditur një ndërtesë pranë selisë së flotës ruse të Detit të Zi.
Ndërkohë, ministria shqiptare e Mbrojtjes ka bërë të ditur të shtunën se tre persona me pasaporta ruse dhe ukrainase janë arrestuar pasi kanë tentuar të hynin në një bazë ushtarake dhe një fabrikë armësh në Shqipërinë qendrore.
Në një deklaratë të dhënë ministria ka njoftuar se gjatë përpjekjes për t’i ndaluar shtetasit rus dhe ukrainas, janë plagosur dy ushtarë.
“Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase janë përpjekur të hyjnë në fabrikë”, tha ministria në një deklaratë dërguar mediave. Ndërsa, lidhur me rastin kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se tre personat janë “të dyshuar për spiunazh”.