Zelensky papritmas në Suedi, do të takohet me mbretin e kryeministrin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, arriti të shtunën në Suedi, ku pritet të takohet me Mbretin Karl XVI, kryeministrin Ulf Kristersson dhe zyrtarë të tjerë të këtij shteti.
Vizita e presidentit ukrainas do të fillojë në rezidencën Harpsund, të cilën e shfrytëzon kryeministri i Suedisë dhe që ndodhet rreth 120 kilometra larg kryeqytetit Stokholm, raporton agjencia “Reuters”.
Zelensky do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Suedisë, me komandantin suprem të forcave të armatosura suedeze dhe me udhëheqës të partive kryesore politike të vendit, sipas një deklarate të qeverisë suedeze.
Suedia e ka mbështetur Ukrainën gjatë luftës përmes dhurimit të armatimit, përfshirë tanke, sisteme kundërajrore e automjete luftarake të llojit “Type 90”.
Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, tha të martën se qeveria e vendit të tij ishte duke planifikuar një pako të re të ndihmave ushtarake për Ukrainën me vlerë të 313,5 milionë dollarëve. Kjo pako do të përfshirë kryesisht municion dhe pjesë rezervë për sistemet e armëve që janë dhuruar më herët.
Mbreti Karl Gustaf XVI dhe Mbretëresha Silvia do t’i presin Zelenskyn dhe bashkëshorten e tij, Olena Zelenska, në Pallatin Stenhammar.
Presidenti ukrainas dhe kryeministri suedez do të mbajnë një konferencë të përbashkët për gazetarë në Harpsund të shtunën pasdite.
