Sulm rus me raketë në Çernihiv të Ukrainës, raportohet për shtatë të vrarë e dhjetëra të plagosur
(E plotësuar) Ministria e Brendshme e Ukrainës tha të shtunën se shtatë persona janë vrarë dhe 37 të tjerë janë lënduar nga një sulm rus me raketë në sheshin qendror të qytetit Çernihiv.
Njerëzit ishin rrugës për në kishë për të shënuar një festë fetare, kur ndodhi sulmi, sipas kësaj ministrie, e cila shtoi se në mesin e të lënduarve janë 11 fëmijë, raporton gazeta “The Guardian”.
Çernihivi shtrihet në pjesën veriore të Ukrainës, afër kufirit me Bjellorusinë. Ky vendbanim ka qenë zonë e luftimeve të ashpra gjatë luftës.
______________
(11:28) Një sulm rus me raketa e ka goditur qendrën e qytetit verior ukrainas, Çernihiv, duke shndërruar “një të shtunë të rëndomtë... në një ditë të dhimbjes e humbjes”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Ka të vdekur ka të plagosur”- shkroi Zelensky në rrjetin “Telegram”.
Oleksandr Lomako, kryetar në detyrë i qytetit Çernihiv, tha se numri i viktimave është duke u qartësuar, raporton televizioni CNN.
“Një raketë ruse goditi mu në qendrën e qytetit, në Çernihivin tonë. Një shesh, universitetin politeknik, një teatër”- tha Zelensky.
Kryetari Lomako shtoi se ekipet emergjente ishin duke punuar në vendin e ngjarjes.
