Zelensky: Pakti për minerale me ShBA-në mund të jetë sukses i madh, s’ka garanci sigurie - NACIONALE

Zelensky: Pakti për minerale me ShBA-në mund të jetë sukses i madh, s’ka garanci sigurie

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se marrëveshja me Shtetet e Bashkuara rreth ndarjes së mineraleve të vendit të tij mund të jetë sukses i madh, por theksoi se çështja kryesore për të është vazhdimi i ndihmave amerikane për Ukrainën.

Në një konferencë për gazetarë në Kiev, Zelensky tha se marrëveshja për mineralet “është vetëm fillimi, një kornizë, ajo mund të jetë një sukses i madh”, raporton televizioni BBC.

“Suksesi do të varet nga biseda jonë me presidentin Trump” – tha ai, duke shtuar se ai do të bëjë shtytje që garancitë e sigurisë për Ukrainën të jenë të lidhura me çfarëdo marrëveshjeje më të gjerë dypalëshe në të ardhmen.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë furnizuese ushtarake kyçe për Ukrainën nën pushtetin e ish-presidentit Joe Biden, por Trumpi ka lënë të kuptohet se tani do të bëhet një rishikim i asistencës që do të ofrohet.

Zelensky tha se shpreson që marrëveshja fillestare për mineralet me ShBA-në “do të çojë në marrëveshje të mëtejme”, por konfirmoi se ende nuk ka pakt për garanci të sigurisë nga Uashingtoni.

Ai gjithashtu tha se ekipi i tij i ka shtyrë amerikanët që të përfshijnë një klauzolë për mbështetje për garancitë e sigurisë, edhe pse ende nuk është vendosur për asgjë konkrete.

Më tej, presidenti ukrainas tha se nëse e viziton Shtëpinë e Bardhë të premten, ai do të jetë “shumë i drejtpërdrejtë” duke pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që ta mbështesin Ukrainën apo jo./Nacionale

Lajme të ngjashme