Zelensky në takim me Trumpin të dielën për të biseduar rreth përfundimit të luftës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do të takohet këtë fundjavë në Florida të ShBA-së me homologun amerikan, Donald Trump, përderisa po vazhdojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Zelensky tha se pret që takimi të mbahet të dielën dhe të jetë i përqendruar në planin 20-pikësh të paqes që është ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara si dhe në propozime të tjera për garancitë amerikane të sigurisë, raporton televizioni BBC.
Ndërkohë, Kremlini thotë se një ndihmës i lartë i Putinit ka mbajtur bisedime të reja përmes telefonit me zyrtarë amerikanë dhe se Rusia është zotuar për vazhdimin e bisedimeve.
Rusia ka folur për “progres të ngadalshëm por të vazhdueshëm” në bisedime, por nuk e ka komentuar ofertën e Zelenskyt për t’i tërhequr trupat nga rajoni lindor i Donbasit, nëse tërhiqet edhe Rusia.
Ukraina është munduar që të sigurojë garanci të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme dhe Zelensky ka lënë të kuptohet se një “zonë e lirë ekonomike” e demilitarizuar mund të jetë opsion për zonat e Donbasit të cilat Rusia ka dështuar t’i kapë me forcë.
Të premten, presidenti ukrainas tha para gazetarëve se plani 20-pikësh është 90 për qind i përfunduar. “Detyra jonë është që të sigurohemi që 100 për qind [e planit] të jetë gati” – tha Zelensky.
Në rrjete sociale shkroi: “Ne nuk do të humbim as një ditë të vetme. Jemi pajtuar për një takim të nivelit më të lartë – me presidentin Trump në të ardhmen e afërt. Për shumë gjëra mund të vendoset para vitit të ri.”
Zelensky është takuar me Trumpin disa herë këtë vit, që nga takimi në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, që ishte shndërruar në një përplasje të ashpër para kamerave. Takimi më i ri mes tyre u mbajt në tetor në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte shumë më miqësor.