Zelensky në prani të Von der Leyen-it: Kufizimet e BE-së ndaj drithit tonë, tërësisht të papranueshme - NACIONALE

Zelensky në prani të Von der Leyen-it: Kufizimet e BE-së ndaj drithit tonë, tërësisht të papranueshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka kritikuar ashpër kufizimet ndaj importit të drithit të vendit të tij që janë vendosur nga pesë shtete evropiane. Ai tha se ky veprim po e ndihmon Rusinë.

“Të gjitha kufizimet ndaj eksporteve tona janë tërësisht të papranueshme tash për tash. Ato vetëm i përforcojnë aftësitë e agresorit. Ne po presim që BE-ja t’i ndalë të gjitha kufizimet sa më shpejt që është e mundshme”- tha ai.

Siç u citua nga agjencia AFP, Zelensky i quajti këto masa “të ashpra, madje mizore” dhe “dëshpëruese” në kohë lufte, përcjell gazeta “The Guardian”.

Bullgaria, Rumania, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia kanë pasur mosmarrëveshje me Ukrainën në javët e kaluara për drithin. Këto vende janë ankuar se eksporti i Ukrainës ka mbetur në territorin e tyre dhe i ka dëmtuar bujqit vendës përmes uljes së çmimeve.

Fillimi i pushtimit rus vitin e kaluar e kufizoi eksportimin e drithit ukrainas rrugës tradicionale – përmes Detit të Zi – duke e bërë të nevojshëm eksportimin përmes territoreve të vendeve fqinje.

Shtetet evropiane e lejuan importimin e mallrave të caktuara ukrainase nga Ukraina pa kufizim sasie, pa doganë dhe pa inspektim zyrtar.

Megjithatë, bujqit në disa vende të BE-së protestuan pas rënies së çmimeve, duke nxitur një varg masash nga autoritetet kundër eksportimit të ushqimit nga Ukraina.

Brukseli e ka quajtur të papranueshëm ndalimin e importimit të drithit dhe të llojeve të tjera të ushqimit nga Ukraina, përderisa ky shtet është ende në luftë me Rusinë.

Lajme të ngjashme