Zelensky i kundërpërgjigjet vizitës së Putinit, shkon në një qytezë të vijës së frontit - NACIONALE

Zelensky i kundërpërgjigjet vizitës së Putinit, shkon në një qytezë të vijës së frontit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i vizitoi forcat ukrainase afër vijës së frontit në rajonin lindor, Donetsk, ku janë zhvilluar luftime të ashpra, tha të martën zyra e presidentit, vetëm disa orë pasi Kremlini njoftoi se presidenti rus, Vladimir Putin, bëri një vizitë të rrallë në rajonet e pushtuara pjesërisht të Ukrainës, Kherson dhe Luhansk.

Zelensky i vizitoi pozicionet e avancuara ushtarake ukrainase në Avdiyivka, e cila, së bashku me Bakhmutin dhe Maryinkan, ka qenë pikë fokusi të ofensivës ruse që është ballafaquar me rezistencë të ashpër nga forcat ukrainase, tha të martën zyra presidenciale ukrainase, raporton Radioja “Evropa e Lirë”.

Presidenti ukrainas u takua me ushtarë, i falënderoi ata për shërbimin e tyre dhe u ndau medalje ushtarake, thuhet në njoftimin e publikuar vetëm disa orë pas njoftimit të Kremlinit se Putini i ka vizituar komandat qendrore ushtarake ruse në Kherson dhe Luhansk.

Kremlini publikoi video ku thuhet se shfaqej Putini duke pranuar raporte nga komandantët ushtarakë në pjesën e kontrolluar nga rusët në Kherson para se të udhëtonte me helikopter në komandën qendrore të Gardës Kombëtare Ruse në rajonin Luhansk.

Ndihmësi presidencial ukrainas, Mykhaylo Podolyak, tha se Putini po i viziton “territoret e pushtuara dhe të shkatërruara për t’i shijuar krimet e pasuesve të tij për herë të fundit”.

Rusia në shtator njoftoi se i ka aneksuar rajonet Kherson, Luhansk, Donetsk dhe Zaporizhia të Ukrainës pas atyre që u cilësuan gjerësisht si referendume të manipuluara.

Pamjet e publikuara nga Kremlini nuk janë vërtetuar në mënyrë të pavarur.

Lajme të ngjashme