Mediet ruse thonë se Putini i ka vizituar ushtarët në Kherson të Ukrainës
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka vizituar trupat në një bazë ushtarake në rajonin jugor ukrainas, Kherson, i cili kontrollohet pjesërisht nga rusët, raportoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve, TASS.
Gjatë kësaj vizite, Putini foli me komandantët e forcave parashutiste të njësitit ushtarak “Dnieper” si dhe u takua me zyrtarë të tjerë të lartë, sipas kësaj agjencie, raporton televizioni CNN.
Njëra nga qëllimet e vizitës ishte marrja e një raporti nga komandantët për situatën në Kherson dhe Zaporizhia, shtoi agjencia TASS.
Ndërkohë luftime të ashpra po vazhdojnë në qytetin Bakhmut dhe përreth tij, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se “detashmentet e sulmit” kanë kapur dy distrikte në qendër dhe në veriperëndim të Bakhmutit, edhe pse ushtria ukrainase tha se Rusia ka kryer “sulme të pasuksesshme” në periferi të qytetit.
Pavarësisht nga luftimet, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, tha se Moska është e interesuar që konfliktit në Ukrainë t’i japë fund sa më shpejt që është e mundshme. Ai e dha këtë deklaratë pas një takimi me homologun brazilian.
