Zelensky e quan “problem të madh të sigurisë” për Evropën varësinë e Ficos nga Rusia
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të hënën e kritikoi atë që e quajti mungesë të dëshirës nga kryeministri sllovak, Robert Fico, për t’i dhënë fund varësisë së vendit të tij nga burimet natyrore ruse, duke e cilësuar këtë gjë si “problem të madh të sigurisë” për Evropën dhe Sllovakinë.
Zelensky i bëri këto komente pasi Fico u takua të dielën në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin. Pas takimit, kryeministri sllovak tha se vizita e tij ishte kundërpërgjigje ndaj bisedimeve me Zelenskyn, të cilin ai e akuzoi për kundërshtimin e çfarëdo transiti të gazit nëpër Ukrainë për në Sllovaki, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Qëllimi i tij kyç është që të merret me Rusinë dhe kjo është ajo nga e cila ai përfiton. Ky është vërtet një problem i madh i sigurisë – edhe për Sllovakinë, edhe për tërë Evropën” – shkroi presidenti ukrainas në rrjetin X.
“Pse është ky udhëheqës kaq i varur nga Moska? Çfarë po i paguhet atij dhe me çfarë paguan ai” – shtoi Zelensky.
Ukraina ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk do ta vazhdojë afatin e vlefshmërisë të një marrëveshjeje për rrjedhjen e gazit rus drejt Evropës, që skadon më 1 janar. Pagesat për gazin e kanë ndihmuar Rusinë që ta zhvillojë luftën gati trevjeçare me Ukrainën, sipas Kievit.
Rrjedhja nëpër Ukrainë përbën rreth gjysmën e eksportit të gazit rus përmes gazsjellësve drejt Evropës. Sllovakia, Italia, Austria dhe Republika Çeke do të preken më së shumti pas përfundimit të afatit të marrëveshjes.
Zelensky tha se Moska po i fron Ficos zbritje të konsiderueshme, por shtoi se Sllovakia po i paguan ato me sovranitetin e saj ose përmes “skemave të errëta”. Ai nuk dha hollësi rreth këtij pretendimi.
“Kjo duhet të jetë çështje për shqetësim për autoritetet e sundimit të ligjit dhe shërbimet speciale të Sllovakisë” – paralajmëroi presidenti ukrainas.
Zyra qeveritare sllovake nuk mund të arrihej menjëherë për koment dhe nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të dërguara përmes postës elektronike./Nacionale