Zelensky e quan presidencën ruse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së "absurde dhe shkatërruese"
Në një fjalim të mbajtur të shtunën vonë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kritikuar presidencën ruse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila hyri në fuqi sot, duke e quajtur “absurde” dhe “shkatërruese”.
“Fatkeqësisht, ne kemi gjithashtu lajme që janë padyshim absurde dhe shkatërruese. "Sot, shteti terrorist filloi të kryesojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së,"- është shprehur Zelensky.
"Dje, ushtria ruse vrau një fëmijë tjetër ukrainas - një djalë pesë muajsh të quajtur Danylo nga Avdiivka, në Donbas," vazhdoi Zelensky. "Prindërit e tij u plagosën. Artileria ruse ... Një nga qindra sulmet e artilerisë që shteti terrorist fillon çdo ditë dhe në të njëjtën kohë, Rusia kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së,”-ka shtuar më tej ai.
Presidenti ukrainas ka shtuar se raste të tilla "dëshmojnë falimentimin e plotë" të institucioneve globale duke argumetuarse reforma është "qartësisht e vonuar" për Këshillin e Sigurimit.
Presidenca e Këshillit të Sigurimit mbahet nga secili anëtar me radhë për një muaj, sipas renditjes alfabetike angleze të emrave të shteteve anëtare. Në rend ishte Rusia, kështu që ajo mori këtë pozicion pushteti pavarësisht se po përballet me kritika të ashpra nga shumë prej anëtarëve të aleancës për pushtimin e saj në Ukrainë.
Këshilli kërkon konsensus për të miratuar shumicën e vendimeve, pavarësisht se cili vend është në krye të mbledhjeve të tij. Ndërsa liderët e Ukrainës kanë dënuar simbolikën e presidencës ruse, ata kanë minimizuar aftësinë e Moskës për të përkulur grupin sipas vullnetit të saj.
Më herët edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e quajti presidencën ruse të Këshillit të Sigurimit “shakaja më e keqe ndonjëherë për Ditën e Gënjeshtrave” dhe “përkujtim të zymtë se diçka nuk është në rregull me mënyrën se si është duke funksionuar siguria ndërkombëtare”.
Kujtojmë se vitin e kaluar, presidenti i Ukrainës bëri thirrje që Këshilli i Sigurimit të reformohej ose të shpërbëhej tërësisht, duke e akuzuar këtë organ për dështim që të ndërmerrte masa të ashpra për ta parandaluar pushtimin rus. Ai gjithashtu ka bërë thirrje që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit.
Megjithatë, ShBA-ja tha se duart i ka të lidhura, pasi Karta e OKB-së nuk e lejon largimin e një anëtari të përhershëm të KS-së së OKB-së.
“Fatkeqësisht, Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe nuk ekziston asnjë rrugë e realizueshme ligjore ndërkombëtare për ta ndryshuar këtë realitet”- tha këtë javë sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit janë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca.
Sanksione të reja
Të shtunën Zelensky gjithashtu njoftoi se ka zbatuar sanksione kundër më shumë se 650 personave.
"Këta janë zyrtarë të shtetit agresor, industrisë së tij të mbrojtjes - qindra kompani - dhe bashkëpunëtorë," - ka thënë ai, duke iu referuar Rusisë.
Zelensky gjithashtu shënoi rëndësinë e anëtarësimit të Zvicrës në paketën e dhjetë të sanksioneve të Bashkimit Evropian.
“Është e rëndësishme kur shtetet që janë neutrale në kuptimin ushtarako-politik megjithatë marrin një qëndrim të qartë moral ndaj terrorit rus,” – ka përfunduar ai, duke shprehur mirënjohje ndaj Zvicrës.

