Zelensky akuzon për gjenocid e Biden kërkon daljen e Putinit në gjyq – dita 40 e luftës - NACIONALE

Zelensky akuzon për gjenocid e Biden kërkon daljen e Putinit në gjyq – dita 40 e luftës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

ShBA, BE e Ukraina, akuzojnë Rusinë për vrasjet në Bucha duke kërkuar që përgjegjësit të pagujnë. Në ditën e 40-të të luftës në Ukrainë, Presidenti ukrainas ka vizituar qytetin ku pretendohet për masakër të kryer nga forcat ruse. Zelensky nga Bucha ka akuzuar Rusinë për gjenocid, ndërsa Presidenti Joe Biden ka kërkuar që Putini të dalë para një gjyqi për krime të luftës.

Në vazhdim nga Nacionale, i gjeni të përmbledhura zhvillimet kyçe të ditës.

Imazhet tronditëse të trupave të civilëve në rrugët e Bucha-s, afër Kievit, kanë çuar në një shpërthim të dënimit ndërkombëtar kundër Rusisë.

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden e quajti sërish Vladimir Putinin një kriminel lufte, duke thënë se ai duhet të përballet në gjyq për krime të luftës.

Duke iu përgjigjur komenteve të Presidentit amerikan Joe Biden që akuzonin Vladimir Putinin për krime lufte mes protestave për vrasjet e civilëve në Bucha, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se disa në Perëndim kanë probleme me ndërgjegjen e tyre, duke shtuar se Rusia është e hapur për një "bisedë të ndershme" me vendet perëndimore.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një vizitë në Bucha, nga ku ka akuzuar sërish forcat ruse për kryerjen e gjenocidit.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, tha se Shtetet e Bashkuara do t'i kërkojnë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të pezullojë Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut – pas akuzave të Ukrainës ndaj ushtarëve rusë, për vrasjen e dhjetëra civilëve në qytetin Bucha.

Pas akuzave ndaj Rusisë për vrasjet ne Bucha, Gjermania ka njoftuar dëbimin e 40 të dërguarve rusë - Franca dëbimin e “shumë” personave nga stafi diplomatik rus, ndërsa Lituania ka dëbuar ambasadorin rus.

Rusia ka hedhur poshtë "të gjitha akuzat" për vrasjet në Bucha, duke pretenduar se videot e fotografitë janë falsifikuar si dhe ka njoftuar se ka nisur hetime lidhur me krimet e lartëpërmendura.

Presidentja e Komisionit Evropian, tha se BE-ja është e gatshme të dërgojë ekipe të përbashkëta hetimore në Ukrainë për të dokumentuar krimet e raportuara të luftës.

Gjermania, e cila mbështetet shumë në gazin rus, ka deklaruar se po "punon drejt" një embargoje ndaj energjisë ruse, por nuk do të veprojë menjëherë

Një zyrtar i mbrojtjes amerikane ka thënë se rreth dy të tretat e trupave ruse të pozicionuara zyrtarisht rreth Kievit tani po zhvendosen në veri të Bjellorusisë, duke shtuar se ShBA beson se trupat atje po ri-pajisen, furnizohen dhe ndoshta po përforcohen me trupa shtesë përpara se të kthehen në Ukrainë për të vazhduar luftimin.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha të hënën se një kolonë autobusësh e drejtuar për në qytetin e rrethuar të Mariupolit ishte ndaluar në qytetin Manhush të kontrolluar nga Rusia.

Lajme të ngjashme