Xi i thotë Trumpit se mospajtimet rreth Tajvanit mund të çojnë në konflikt
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i tha homologut amerikan, Donald Trump, në fillimin e samitit dyditor në Pekin se bisedimet tregtare po shënojnë përparim, por paralajmëroi se mosmarrëveshjet në lidhje me Tajvanin mund t’i çojnë marrëdhëniet mes dy vendeve në një rrugë të rrezikshme dhe madje edhe në konflikt.
Komentet e Xi-së për Tajvanin, ishull me qeverisje demokratike që Kina pretendon se është territor i saj, erdhën në një takim me dyer të mbyllura mes udhëheqësve të dy ekonomive më të mëdha në botë, i cili zgjati më shumë se dy orë, tha Ministria e Jashtme e Kinës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ato paraqesin një paralajmërim të qartë – nëse jo të pashembullt – gjatë samitit që ndryshe ishte miqësor e i relaksuar, edhe pse në përmbledhjen e publikuar nga Uashingtoni për bisedimet mes dy presidentëve nuk u përmend Tajvani.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, i cili është me Trumpin në Kinë, konfirmoi në televizionin “NBC News” se çështja e Tajvanit është diskutuar, duke thënë se kinezët “gjithmonë e ngrenë atë [temë] në anën e tyre, ne gjithmonë e bëjmë të qartë pozicionin tonë dhe kalojmë te temat e tjera”.
Në përmbledhjen e bisedimeve që u publikua nga Shtetet e Bashkuara iu dha fokus dëshirës së përbashkët të dy presidentëve për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila praktikisht është e mbyllur për shkak të luftës së Iranit, si dhe në interesimin e presidentit kinez për të blerë naftë amerikane që ta zvogëlojë varësinë e Kinës nga dërgesat prej Lindjes së Mesme.
Xi i tha Trumpit se bisedimet përgatitore mes ekipeve kineze e amerikane të ekonomisë dhe tregtisë në Korenë e Jugut të mërkurën kanë arritur “rezultate të baraspeshuara dhe pozitive” – tha në një përmbledhje Ministria e Jashtme e Kinës./Nacionale