Xi dhe Putin bëjnë thirrje për përfundim të veprimeve që zgjasin luftën në Ukrainë
Gjatë takimit të zhvilluar në Moskë ndërmjet liderit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, ata kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund veprimeve që “rrisin tensionet” dhe zgjasin luftën në Ukrainë.
Sipas medias shtetërore kineze People’s Daily, Rusia ka folur pozitivisht për qëndrimin “objektiv dhe të drejtë” të Kinës ndaj Ukrainës, ndërsa të dy palët kanë kundërshtuar çdo vend ose grup vendesh që dëmtojnë “interesat legjitime të sigurisë së vendeve të tjera në ndjekje të avantazheve ushtarake, politike apo avantazheve të tjera”.
Bëhet e ditur se Rusia ka përsëritur angazhimin e saj për rifillim të bisedimeve të paqes sa më shpejt që të jetë e mundur, diçka që është vlerësuar nga Kina.
Rusia gjithashtu ka thënë se “Kina luan një rol aktiv” në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Ukrainë përmes mjeteve politike dhe diplomatike, përfshirë disa nga masat e propozuara nga Kinës në planin e saj të paqes së përbërë nga 12 pika.
Media ka raportuar se të dy liderët kanë thënë se "shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve" duhet të respektohen kur bëhet fjalë për mënyrën e përfundimit të luftës dhe përpjekjet që "shtojnë benzinë në zjarr" si dhe "konfrontimi midis blloqeve" duhet të parandalohen.
Ndërkohë, raportohet edhe se të dy palët kanë kundërshtuar çdo sanksion të njëanshëm të paautorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

