WSJ: Sinwari thotë se Hamasi merr pjesë në bisedime, nëse Izraeli i ndal operacionet - NACIONALE

WSJ: Sinwari thotë se Hamasi merr pjesë në bisedime, nëse Izraeli i ndal operacionet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndërmjetësuesit në bisedime për armëpushim në Gaza raportohet se kanë thënë që kreu i Hamasit, Yahya Sinwar, është duke kërkuar që Izraeli t’i ndalë operacionet e tij ushtarake në enklavë si parakusht për pjesëmarrje të këtij grupi në bisedimet e kësaj jave, në të cilat Hamasi ka thënë publikisht se nuk do të marrë pjesë.

Megjithatë, në raportin e gazetës amerikane, “The Wall Street Journal”, pranohet se ka pak gjasa që Izraeli ta pranojë kërkesën, përderisa synon që t’i bëjë trysni Hamasit për të bërë kompromise duke e ndjekur vazhdimisht qëllimin e deklaruar të luftës për eliminimin e kapaciteteve qeverisëse dhe ushtarake të këtij grupi, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Ndërkohë, pak pasi gazeta “The New York Times” raportoi se kishte parë dokumente që tregonin se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte paraqitur kërkesa të reja muajin e kaluar – që nuk ishin të përfshira në një propozim të Izraelit më 27 maj për marrëveshje për armëpushim dhe lirim të pengjeve, zyra e tij pretendoi se nuk bëhet fjalë për kërkesa të reja, por thjesht plotësime dhe shpjegime të ofertës së mëhershme.

“Drafti i 27 korrikut nuk përfshin kushte të reja dhe nuk bie ndesh me përvijimin e 27 majit” – thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit izraelit. “Hamasi është ai që kërkoi 29 ndryshime – diçka që kryeministri e kundërshtoi” – thuhet më tej.

Në anën tjetër, pasi Hamasi njoftoi se nuk planifikonte që të dërgonte negociatorë në bisedimet e planifikuara për të enjten në Katar ose Egjipt, Kajroja është duke u përpjekur që ta bindë grupin për të marrë pjesë në mënyrë që t’i zhbëjë akuzat e Izraelit se Hamasi po i pengon përpjekjet për arritjen e armëpushimit, sipas një burimi egjiptian të cituar nga gazeta libaneze, “Al-Akhbar”.

Thuhet se Egjipti gjithashtu po bën përpjekje që të zbatohet një ndërprerje e përkohshme e luftimeve për disa ditë si mundësi për “të marrë frymë dhe për të punuar për ta zgjatur armëpushimin”.

Të hënën, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, e diskutoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Hamasit në bisedimet e së enjtes në një telefonatë me homologun turk, Hakan Fidan.

Përderisa deklarata e ShBA-së nuk shkoi aq larg, sa për të deklaruar se Blinkeni i kishte bërë thirrje Fidanit për t’i bërë presion Hamasit që të marrë pjesë në takimin e së enjtes, ky dukej se ishte aludimi, pasi Ankaraja ka raporte të mira me udhëheqësinë e grupit palestinez./Nacionale

Lajme të ngjashme