Vriten tre ushtarë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza
Tre ushtarë izraelitë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën gjatë luftimeve në pjesën veriore të Rripit të Gazës të mërkurën, njoftoi ushtria izraelite.
Tre ushtarët e vrarë u identifikuan si Rreshtar Stafi Matityahu Ya’akov Perel, 22 vjeç; Rreshter Stafi Kanaoo Kasa, 22 vjeç; dhe Rreshter Stafi Nevo Fisher, 20 vjeç, raporton gazeta “The Times of Israel”. Të tre ishin pjesë e Batalionit të 46-të të Brigadës së 401-të të Blinduar.
Në incidentin e njëjtë, tre ushtarë të tjerë u plagosën, përfshirë një oficer që ndodhet në gjendje serioze.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, trupat u goditën nga një pajisje e madhe shpërthyese që u aktivizua kundër një tanku gjatë operacioneve në Beit Hanoun.
Incidenti ndodhi pasi tre ushtarë të tjerë u vranë e disa u plagosën në incidente të ndryshme në dy ditët e mëparshme, dhe e çuan në 398 numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë që janë vrarë gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit në Gaza dhe gjatë operacioneve ushtarake përgjatë kufirit me enklavën.
Gjatë luftimeve të së mërkurës në pjesën veriore të Gazës, ushtria tha se një helikopter sulmues i Forcës Ajrore kreu një sulm kundër një grupi të operativëve të Hamasit në një ish-shkollë në Jabalia.
Sipas ushtrisë izraelite, operativët e Hamasit ndodheshin në një qendër komande të rrënjosur brenda shkollës “Halawa” dhe po e përdornin kompleksin për të planifikuar e për të kryer sulme kundër trupave në Gaza dhe kundër Izraelit./Nacionale