Vriten edhe dy ushtarë izraelitë në Gaza, gjashtë të tjerë plagosen - NACIONALE

Vriten edhe dy ushtarë izraelitë në Gaza, gjashtë të tjerë plagosen

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan se dy pjesëtarë të saj u vranë të enjten dhe të paktën gjashtë të tjerë u plagosën në incidente të ndryshme gjatë luftimeve në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Të premten në mëngjes, ushtria izraelite i identifikoi ushtarët e vrarë si Rreshter Yishai Elyakim Urbach, 20 vjeç, pjesëtar i Batalionit 605, dhe Rreshter Stafi Yam Frid, 21 vjeç nga njësiti i zbulimit në Brigadën Golani, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në incidentin e parë, pjesëtarët e Hamasit hodhën një granatë drejt një ndërtese në lagjen Jenina të qytetit Rafah, ku ishin vendosur trupat izraelite. Ndërtesa u shemb pjesërisht mbi ushtarë, duke e lënë të vdekur Urbach-un dhe duke plagosur dy të tjerë, përfshirë një seriozisht.

Gjatë incidentit të dytë, i cili ndodhi rreth dy orë më vonë në zonën e njëjtë, një automjet i blinduar për transportin e personelit u godit nga një pajisje shpërthyese, duke e lënë të vdekur Frid-in e duke plagosur katër të tjerë, përfshirë tre në gjendje serioze.

Në deklaratat e publikuara në rrjetin “Telegram”, Hamasi pretendoi se pjesëtarët e tij i dolën në pritë një force izraelite prej 12 anëtarësh brenda një shtëpie në lagjen Tanur në zonën lindore të qytetit Rafah me dy granata dhe aktivizuan një pajisje shpërthyese afër trupave.

Këto incidente e çuan në 418 numrin e përgjithshëm të ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit në Gaza dhe në operacionet ushtarake përgjatë kufirit me enklavën.

Në një zhvillim tjetër, ushtria izraelite dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet thanë të enjten se një anëtar i Hamasit, i cili ishte i përfshirë në rrëmbimin e 85-vjeçares Yaffa Adar gjatë sulmeve të 7 tetorit të vitit 2023, u vra përmes një sulmi ajror në Qytetin Gaza të mërkurën.

Anëtari i Hamasit u identifikua si Mohammed Rasmi Marzouk Baraka, pjesëtar i divizionit të inteligjencës të Hamasit./Nacionale

Lajme të ngjashme