Vrasja e tre kurdve në Paris, shpërthejnë protestat e përplasjet me policinë - NACIONALE

Vrasja e tre kurdve në Paris, shpërthejnë protestat e përplasjet me policinë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ditën e sotme, në qendër të Parisit, një person qëlloi për vdekje tre persona të tjerë në një qendër kulturore kurde dhe një kafene kurde, duke bërë që shumë protestues të dalin në rrugë.

Lidhur me sulmin, ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin tha se sulmuesi i dyshuar kishte dashur qartësisht të synonte të huajt, por se ende nuk kishte prova që ai kishte zgjedhur në mënyrë specifike kurdët.

Por, pas të shtënave që shkaktuan panik në një rrugë të mbushur me dyqane e kafene të vogla në një lagje të populluar të kryeqytetit francez, avokati i qendrës kulturore kurde ka bërë të ditur se tre viktimat ishin kurdë.

E ndërsa në Paris erdhi mbrëmja, policia ka hedhur gaz lotsjellës për të zmbrapsur një turmë të zemëruar që qëndronte afër vendit të sulmit, ndërsa këta të fundit kishin hedhur gjësende ndaj policisë, duke përmbysur kazanë plehrash e tavolina restorantesh.

Si të dyshuar për sulmin, autoritetet kanë bërë të ditur se kanë arrestuar një burrë 69-vjeçar, për të cilin prokurorja e Parisit Laure Beccuau, ka njoftuar se ishte liruar së fundmi nga paraburgimi ndërsa priste gjykimin për një sulm në një kamp emigrantësh në Paris një vit më parë.

Ndërkohë, udhëheqësit kurdë kanë bërë thirrje për mbrojtje më të mirë për komunitetin e tyre, një shqetësim për kurdët në Francë, që nga vrasjet e tre grave kurde një dekadë më parë.

Lajme të ngjashme