Von der Leyen: Mund të mobilizohen afro 800 miliardë euro për industrinë e mbrojtjes
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të martën se planet e reja të BE-së për ta fuqizuar industrinë e mbrojtjes të Evropës dhe për rritjen e kapaciteteve ushtarake mund të mobilizojnë afro 800 miliardë euro.
Duke folur në një konferencë për gazetarë, zyrtarja e lartë tha se Evropa është “e gatshme për t’i shtuar (shpenzimet)” në mbrojtje, duke shtuar se BE-ja do të propozojë që t’u japë shteteve anëtare më shumë hapësirë fiskale për investime në mbrojtje.
Përpos kësaj, sipas presidentes së KE-së, do të propozohen edhe 150 miliardë euro si hua për këto investime dhe do të synohet edhe mobilizimi i kapitalit privat, raporton televizioni BBC.
Para njoftimit, Von der Leyen tha: “Ne kemi nevojë për një rritje masive (të shpenzimeve) në mbrojtje, pa asnjë dyshim. Ne duam paqe të qëndrueshme, por paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi fuqinë, e fuqia fillon me fuqizimin e vetes sonë.”
Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, tha se vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën “e vë në pah nevojën urgjente për një ndryshim themelor në politikën e tanishme të Evropës”.
Përmes një shkrimi në rrjetin X, ai tha se Evropa “duhet t’i fuqizojë kapacitetet tona ekonomike e ushtarake dhe ta marrë përgjegjësinë e plotë për sigurinë tonë”.
Sipas tij, për këtë kërkohen më shumë shpenzime në fushën e mbrojtjes dhe shtim i përkrahjes për Ukrainën.
“Ne nuk mund ta lejojmë politikën agresive të Rusisë, e cila na kërcënon të gjithëve, që të shënojë sukses. Epoka e mbështetjes mbi të tjerët për t’i adresuar sfidat themelore ndërkombëtare në emrin tonë ka përfunduar. Tani është koha që Evropa të lëvizë në mënyrë të vendosur nga fjalët te veprat” – shtoi ai./Nacionale
President Trump's decision highlights the urgent need for a fundamental shift in Europe's current policy.
— Petr Fiala (@P_Fiala) March 4, 2025
We must strengthen our economic and military capabilities and take full responsibility for our own security. This requires increased investment in defence. Ensuring our…