Vizita e Stoltenberg në Ukrainë e kërkesa e Zelenskyt, zhvillimet më të fundit nga lufta
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka vizituar sot Ukrainën dhe ka mbajtur një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“E ardhmja e Ukrainës është në NATO,”- tha shefi i aleancës ushtarake perëndimore, duke u zotuar për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën.
AI njoftoi se deri më tani, aleatët e NATO-s kishin trajnuar dhjetëra mijëra trupa ukrainase dhe kishin ofruar 65 miliardë euro ndihmë ushtarake.
Ndërkohë, Zelensky është shprehur se NATO duhet të ftojë Ukrainën që të bëhet anëtare dhe t'i japë asaj një afat kohor për anëtarësim.
"Nuk ka asnjë pengesë të vetme objektive për vendimin politik për të ftuar Ukrainën në aleancë dhe tani, kur shumica e njerëzve në vendet e NATO-s dhe shumica e ukrainasve mbështesin anëtarësimin në NATO, është koha për vendimet përkatëse,"- ka thënë ai.
Zhvillime të tjera
Është bërë e ditur se ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov do të takohet të hënën me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
Danimarka, së bashku me Holandën, do t'i dhurojnë Ukrainës 14 tanke Leopard 2. Ministri në detyrë i mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen, ka thënë se tanket nuk janë daneze, po janë “blerë në bashkëpunim me Holandën".
Financial Times ka raportuar se një raport i zbulimit amerikan tregon se Kina ka refuzuar një kërkesë të grupit mercenar Wagner për armë. Sipas FT, kërkesa e Wagner në fillim të vitit 2023 ka sugjeruar se "kishte njëfarë besimi se Pekini do të ishte i hapur për të armatosur Moskën, duke shkuar përtej formave të tjera jovdekjeprurëse të mbështetjes për fushatën ushtarake të ofruara nga kompanitë kineze".
Zvicra ka marrë vendim që të shtojë Wagner dhe agjencinë e lajmeve RIA në listën e entiteteve të sanksionuara ruse.
Agjencia e sigurisë së Ukrainës, SBU ka njoftuar se një grup ushtarakësh ukrainas janë akuzuar për tradhti për dhënien e informacionit gjatë një misioni të paautorizuar që i ka mundësuar Rusisë të sulmonte një aeroport ushtarak.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka kritikuar vonesat në planin e BE-së për blerjen e përbashkët të municioneve për Ukrainën. Kujtojmë se BE ra dakord për blerjen e 1 milion raundeve artilerie për Ukrainën në mars, por rreth detajeve të planit ende janë duke vazhduar diskutimet.
ShBA dhe aleatët e tjerë të Ukrainës po shqyrtojnë një ndalim të plotë të shumicës së eksporteve në Rusi në një përpjekje për të rritur presionin ekonomik ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Raporti nga uebfaqja e biznesit Bloomburg thotë se diskutimet janë duke u zhvilluar përpara samitit të liderëve të G7 që do të mbahet në maj.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar 325 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë municione shtesë për sistemet e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë, raketa të avancuara dhe mina antitank. Pako është e 36-ta që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar.
