Stoltenbergu i NATO-s e viziton Ukrainën për herë të parë që nga fillimi i luftës
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e vizitoi të enjten Kievin për herë të parë që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke e shfaqur përkrahjen e aleancës për Ukrainën, kur vendi po përgatitet për të nisur një kundërofensivë.
Zyrtari i lartë i nderoi ushtarët ukrainas që janë vrarë gjatë luftimeve në pjesën lindore të Ukrainës dhe i shikoi për së afërmi automjetet e kapura ruse në Sheshin “St Michael” të kryeqytetit ukrainas, raporton agjencia “Reuters”.
Udhëheqësit ukrainas dhe zyrtarët e NATO-s nuk kishin dhënë ndonjë njoftim të menjëhershëm për këtë vizitë. Vizitat e zyrtarëve të huaj në kohë lufte shpesh organizohen në mënyrë sekrete, por udhëheqës të lartë që e vizitojnë Kievin shpesh zhvillojnë bisedime me presidentin Volodymyr Zelensky.
Pasi i nderoi ushtarët e rënë ukrainas, sekretari i NATO-s hipi në një veturë dhe u largua, tha një fotograf i agjencisë “Reuters”.
NATO-ja e ka përkrahur Ukrainën vazhdimisht gjatë luftës. Shtetet e kësaj aleance i kanë dhuruar armë Ukrainës, por nuk kanë dërguar trupa atje. Kievi vazhdimisht ka bërë thirrje për t’u furnizuar me armë më të avancuara.
Ukraina e sheh të ardhmen e vet në NATO, pasi në shtatorin e vitit të kaluar njoftoi për synimin që të anëtarësohet shpejt në aleancë. Kjo u bë pas pretendimit të Kremlinit se Rusia ka aneksuar katër rajone ukrainase, të cilat janë pushtuar pjesërisht nga trupat ruse.
Rusia nuk e komentoi menjëherë vizitën e Stoltenbergut në Ukrainë.