Liderët e Evropës urojnë Magyarin pasi e rrëzoi nga pushteti Orbanin, Kurti mezi pret bashkëpunim
Liderët e shteteve të ndryshme të Evropës e kanë uruar Péter Magyar për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Hungari, i cili e rrëzoi Victor Orbanin, nga pushteti pas 16 vitesh.
Kancelari gjerman, Friedrich Mertz, i cili e ka uruar popullin hungarez për zgjedhjet.
“Le të bashkojmë forcat për një Evropë të fortë, të sigurt dhe, mbi të gjitha, të bashkuar.”, ka thënë Mertz.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka uruar Magyarin përmes një bisede telefonike.
“Sapo fola me Peter Magyar për ta përgëzuar për fitoren e tij në Hungari! Franca e mirëpret këtë fitore për pjesëmarrjen demokratike, për angazhimin e popullit hungarez ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe për vendin e Hungarisë në Evropë. Së bashku, le të ndërtojmë një Evropë më sovrane, për sigurinë e kontinentit tonë, konkurrueshmërinë tonë dhe demokracinë tonë”, ka shkruar Macron në Facebook.
Kryeministri britanik, Keir Starmer e ka cilësuar “moment historik për demokracinë evropiane”.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka deklaruar se ka fituar Evropa dhe vlerat evropiane.
Urime ka pasur edhe nga shtete të tjera.
Kristen Michal, kryeministrja estoneze ka thënë se hungarezët kanë bërë një zgjedhje historike.
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson ka thënë se zgjedhjet shënojnë një kapitull të ri në historinë e Hungarisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se Hungaria ka zgjedh Evropën.
“Hungaria ka zgjedhur Evropën. Evropa gjithmonë ka zgjedhur Hungarinë. Së bashku, ne jemi më të fortë. Një vend rimerr rrugën e tij evropiane. Bashkimi bëhet më i fortë”, ka shkruar ajo.
Për fitoren në zgjedhje, opozitarin Magyar e ka uruar edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
“Vendi i Hungarisë është në zemër të Evropës.”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Hungari, Viktor Orbán, ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare, duke i dhënë fund një periudhe 16-vjeçare në pushtet.
Sipas raportimit të The Guardian, Orbán ka uruar partinë opozitare Tisza dhe liderin e saj Péter Magyar për fitoren.
Në deklaratën e tij, ai falënderoi rreth 2.5 milionë votues që mbështetën partinë e tij Fidesz, duke theksuar se kjo ishte një nga fushatat më intensive që kishin zhvilluar ndonjëherë.
“Ne do t’i shërbejmë vendit tonë dhe kombit hungarez nga opozita,” u shpreh Orbán, duke shtuar se gjatë më shumë se 30 viteve në krye të Fidesz ka përjetuar periudha të vështira dhe të bukura.
Ai theksoi gjithashtu vendosmërinë për të vazhduar aktivitetin politik, duke deklaruar se “kurrë, kurrë, kurrë nuk do të dorëzohet.”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar udhëheqësin e partisë Tisza, Péter Magyar për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare në Hungari.
Urimin e ka bërë nëpërmjet një postimi në rrjetin social X.
“Urime Péter Magyar për fitoren e tij zgjedhore në Hungari. Kosova e mirëpret mbështetjen e popullit hungarez për vlerat e Bashkimit Evropian dhe mezi presim të punojmë së bashku”, ka shkruar Kurti.