Vërshime në Orsk të Rusisë, evakuohen rreth dy mijë njerëz - NACIONALE

Vërshime në Orsk të Rusisë, evakuohen rreth dy mijë njerëz

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet ruse kanë evakuuar rreth dy mijë persona nga shtëpitë e tyre në qytetin Orsk, afër kufirit me Kazakistanin, thanë të shtunën zyrtarë rusë, një ditë pasi uji në nivel të ngritur i Lumit Ural vërshoi fshatra që shtrihen përgjatë tij dhe e shkaktoi shpërthimin e një dige.

Qeveria rajonale tha se njerëzit u evakuuan nga qyteti me 230 mijë banorë, pasi mijëra shtëpi ishin vërshuar në atë zonë, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS, përcjell agjencia “Reuters”.

Në pamje të publikuara nga Ministria e Shërbimeve Urgjente u panë banorë duke u ndihmuar me barka, të veshur me jelekë kundër mbytjes në ujë.

Të premten, autoritetet lokale në rajonin Orenburg të Maleve Ural, ku shtrihet qyteti Orsk, u bënë thirrje banorëve të komuniteteve pranë lumit që të evakuohen pas shpërthimit të digës.

Agjencitë e cituan zyrën e prokurorit lokal të ketë thënë se diga shpërtheu për shkak të mirëmbajtjes së dobët.

Disa province në zonën e Uralit si dhe disa pjesë të Kazakistanit fqinj janë ballafaquar me përmbytje ditëve të fundit.

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, tha se këto vërshime mund të jenë fatkeqësia natyrore më e madhe në vend në aspektin e nivelit dhe ndikimit në 80 vitet e fundit.

“Ne duhet t’i marrim të gjitha mësimet nga këto vërshime të nivelit të lartë” – tha ai.

Lajme të ngjashme