Vërshime në Jemen, OKB-ja raporton për 31 të vdekur
Të paktën 31 njerëz kanë vdekur nga reshjet e dendura të shiut dhe vërshimet në Jemen, thanë të mërkurën Kombet e Bashkuara.
“Nga 11 prilli, dëshmia e shpeshtimit të ngjarjeve të reshjeve të shkurtra të shiut qe e përhapur, që çoi në shpeshtimin e vërshimeve që shkaktuan dëm të madh në një pjesë të madhe të infrastrukturës së ujitjes në pjesë të mëdha të kanaleve”- thuhet në një deklaratë të agjencisë ushqimore të OKB-së.
“Raportimet nga terreni tregojnë se 31 persona kanë vdekur, 37 janë lënduar dhe tre janë zhdukur pas vërshimeve të prillit”- thuhet më tej në deklaratë, raporton agjencia “Anadolu”.
Reshjet e dendura vazhduan në shumicën e pjesëve perëndimore të Jemenit. U raportua për reshje të dendura në Al-Mahwit, Hajjah, Dhamar, Raymah, Amanat Al Asimah, Ibb dhe Sana.
Reshjet e dendura shkaktuan “rënie shkatërruese të gurëve, sidomos në fshatin Al-Asha të distriktit Yarim të rajonit Ibb, ku dëmi i gjerë në infrastrukturë po shkakton rritje të nevojave humanitare”, thuhet në deklaratë.
Jemenit i mungon infrastruktura e duhur për shkak të luftës civile gjatë nëntë viteve të fundit, e cila i ka pakësuar shërbimet jetike që u ofrohen banorëve dhe e ka shtuar vuajtjen e tyre në kohën e motit ekstrem.
Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe mungesa e stabilitetit që nga viti 2014, kur rebelët Houthi, të lidhur me Iranin, morën nën kontroll një pjesë të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
