Shkon në tetë numri i viktimave të vërshimeve në Itali - NACIONALE

Shkon në tetë numri i viktimave të vërshimeve në Itali

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre pas reshjeve të dendura e vërshimeve në rajonin verior Italian, Emilia-Romagna, thanë të mërkurën zyrtarët italianë.

Ministri i Mbrojtjes Civile, Nello Musumeci, tha se në disa zona ka pasur reshje sa gjysma e mesatares vjetore për vetëm 36 orë, duke shkaktuar dalje të lumenjve nga shtrati e vërshime në qyteza e në mijëra hektarëve të tokës bujqësore, raporton agjencia “Reuters”.

Tetë trupa janë gjetur në vende të ndryshme, tha nënkryetarja e rajonit Emilia-Romagna, Irene Priolo, duke shtuar se reshjet janë duke u pakësuar, por niveli i ujit në lumenj është ende duke u rritur.

Gara e Formulës 1 në Imola, afër zonave të goditura nga vërshimet, u anulua, pasi autoritetet thanë se shërbimet emergjente duhej të përqendroheshin në operacionin e shpëtimit.

“Vendimi është marrë për shkak se nuk është e mundshme që të mbahet ngjarja në mënyrë të sigurt për tifozët tanë, ekipet dhe personelin tonë”- thuhet në një deklaratë të organizatorëve të garës.

“Mos shkoni afër lumenjve. Ata që jetojnë në zona afër rrjedhave të ujit, duhet të vendosen në kate më të larta”- tha kryetari i rajonit Emilia-Romagna, Stefano Bonaccini.

Rrugët dhe hekurudhat u bllokuan në disa vende dhe kryetarët e qytezave e qyteteve, përfshirë Bolonjën, u bënë thirrje banorëve që të mos largohen nga shtëpitë e tyre.

Ministri Musumeci tha se mes 200 deri në 500 milimetra shi kanë rënë në rajon për një ditë ose një ditë e gjysmë, krahasuar me mesataren prej 1 mijë milimetrash në vit.

Reshjet e dendura erdhën pas disa muajve thatësi, e cila e zvogëloi aftësinë e tokës për ta thithur ujin, duke e përkeqësuar ndikimin e vërshimeve, thanë meteorologët.

Lajme të ngjashme