Tre të vdekur e mijëra të zhvendosur nga vërshimet në veri të Italisë - NACIONALE

Tre të vdekur e mijëra të zhvendosur nga vërshimet në veri të Italisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën tre persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të vërshimeve shkatërruese në rajonin verior italian, Emilia-Romagna, thanë autoritetet të mërkurën, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet.

“Reshjet e shiut nuk kanë mbaruar, do të vazhdojnë për disa orë”- tha zëvendësdrejtoresha e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Titti Postiglione. “Po ballafaqohemi me një situatë shumë, shumë të ndërlikuar”- shtoi ajo, raporton agjencia “Reuters”.

Zyrtarët në rajonin Emilia-Romagna thanë se tre trupa të pajetë janë gjetur në qytezat Forli, Cesena dhe Cesenatico, ndërsa tre persona të tjerë janë zhdukur.

Katërmbëdhjetë lumenj dolën nga shtretërit në rajon, duke i detyruar njerëzit në qytete si Cesena që të hipnin në kulmbet e ndërtesave të tyre, ku zjarrfikësit i shpëtuan me helikopterë ose me barka gome.

“Mos shkoni afër lumenjve. Ata që jetojnë në zona afër rrjedhave të ujit, duhet të vendosen në kate më të larta”- tha udhëheqësi rajonal, Stefano Bonaccini.

Disa rrugë dhe linja hekurudhash janë bllokuar dhe kryetarët e shumë qytezave e qyteteve, përfshirë Bolonjën, u bënë thirrje banorëve që të mos largohen nga shtëpitë e tyre.

Qyteti verior, Ravenna, afër bregdetit të Detit Adriatik, gjithashtu është prekur rëndë nga vërshimet.

“Ka qenë ndoshta nata më e keqe në historinë e Romagna-s”- tha kryetari i Ravenna-s, Michele de Pascale, duke shtuar se pesë mijë njerëz u zhvendosën vetëm nga qyteti i tij gjatë natës.

“Ravenna nuk mund të njihet më nga dëmi që e ka pësuar”- tha ai.

Kjo është hera e dytë vetëm në muajin maj që rajoni Emilia-Romagna preket nga moti i lig. Dy persona vdiqën gjatë stuhisë atje në fillim të muajit.

Lajme të ngjashme