Vërshime e shembje e digës në Brazil, mbi 30 të vdekur e 60 të zhdukur
Një digë e një hidrocentrali është shembur në jug të Brazilit pas reshjeve të dendura të shiut për disa ditë, të cilat nxitën vërshime masive, duke lënë të vdekur mbi 30 persona.
Zyrtarët thonë se 60 persona të tjerë janë zhdukur në shtetin Brazilian, Rio Grande do Sul, raporton televizioni BBC.
Rreth 15 mijë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre nga e shtuna. Të paktën 500 mijë njerëz kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike dhe ujë të pastër në shtetin jugor të Brazilit, në kufi me Uruguain.
Diga e shembur nxiti një valë të lartë dy metra, duke shkaktuar panik e dëme të mëtejme në zonat tashmë të prekura nga vërshimet.
Moti ekstrem është shkaktuar nga një kombinim i rrallë i temperaturave më të larta se mesatarja, lagështia e madhe dhe erërat e fuqishme.
Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, e ka vizituar rajonin, duke premtuar ndihmë nga qeveria qendrore.
Më herët, guvernatori shtetëror, Eduardo Leite, bëri apel për ndihmë urgjente, duke thënë: “Ne kemi nevojë që të shpëtojmë qindra njerëz në dhjetëra komuna.”
Autoritetet po përdorin helikopterë për të kërkuar persona që mund të kenë mbetur të ngujuar.
Në disa zona, vërshimet janë aq të rënda, saqë helikopterët nuk kanë mundur të lëshohen në tokë, por është dashur që banorët e ngujuar të tërhiqen me litar.
Në komunën Candelaria, banorët hipën mbi kulme, pasi shtëpitë e tyre ishin mbushur me ujë.
Meteorologët kanë parashikuar reshje të mëtejme në rajon. Vitin e kaluar, mbi 30 persona vdiqën gjatë një cikloni në Rio Grande do Sul.