Vendi më i rrezikshëm në planet | Tmerri që po ndodh në centralin bërthamor të Zaporizhzhias - NACIONALE

Vendi më i rrezikshëm në planet | Tmerri që po ndodh në centralin bërthamor të Zaporizhzhias

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bombardimet afër centralit bërthamor me gjashtë reaktorë plus mungesat e punëtorëve dhe plus energjia rezervë e pasigurtë po e bëjnë Zaporizhzhian një prej vendeve më të rrezikshme në Tokë aktualisht.

Artikulli i mëposhtëm është përkthyer nga The Guardian.

Bombardimet ruse që u hodhën natën kishin hequr tavanin e një banese të katit më të lartë, dhe në vend të atij muri kishte veç ajër të acartë që frynte prej lumit Dnjepër – dhe në tjetrën anë dukej centrali më i madh bërthamor i Evropës.

Silueta e centralit të Zaporizhzhias – me dy kullat e trasha ftohëse dhe rreshtin prej gjashtë blloqeve – është bërë globalisht e njohur prej që u cilësua si vendi më i rrezikshëm në Tokë: gjashtë reaktorë bërthamorë në vijën e frontit të një lufte katastrofale.

Në një natë krejt të zakontë javën e kaluar, rusët në bregun e majtë të lumit i hodhën katërdhjetë granata dhe raketa në Nikopol, një qytet në bregun e djathtë që mbahet nga Ukrainasit, e të cilat binin në blloqet e banesave pesëkatëshe të ndërtuara për punëtorët në vitet ’60 dhe që kishin emrin e liderit sovietik të asaj kohe, Nikita Krushvevit. Quheshin krushchevsky.

Pas 10 muajve luftë, blloqet janë gjysmë të zbrazura, kështu që kanë mbetur pak njerëz për t’u vrarë. E vetmja viktimë e raportuar në atë natë ishte një 65 vjeçar që ishte dërguar për në spital, dhe banesa e të cilit e shihte tash krejtësisht centralin bërthamor.

Të nesërmen në mëngjes, riparimet veçse kishin nisur. Një elektricist e ndreqi rrymën për krejt pjesën tjetër të ndërtesës, dhe dy burra tjerë kishin ngecur nëpër mbetjet e banesave.

Kishte katër zhurma të forta derisa armët e ushtrisë ukrainase në afërsi të bregut të lumit po hapnin zjarr ndaj pozicioneve ruse, dhe minuta më vonë, sirenat ajrore të Nipolit kumbuan duke pritur një përgjigje ruse, megjithëse asnjë s’do të vinte atë mëngjes.

Podrumet e banesave krushchevsky ishin kthyer në strehimore me shtretët dhe me tavolina shkolle por shumica e pjesës së mbetur të popullësisë ishin mësuar aq mirë me bomradimet sa thjesht vazhdonin me punët e tyre të përditshme.

Ukrainasit ngulmojnë se janë tepër të kujdesshëm se ku gjuajnë, madje edhe kur gjuhen nga afërsia e centralit të Zaporizhzhias. Të enjten, kompania ukrainase e energjisë nukleare, Energoatom, akuzoi Rusinë se po sillte shumë sisteme të lansimit të raketave afër reaktorit numër 6, i cili është afër zonës ku mbahet energjia e harxhuar nukleare. Synimi i mundshëm, pretendonte Energoatomi, ishte të bombardohej Nikopoli dhe qyteti në afërsi që quhej Marzanets, duke përdorur pozicionin e tyre si mbulojë.

Muret e reaktorit janë të trasha mjaftueshëm për të përballuar zjarrin e artilerisë, por një goditje direkte në mbajtësit e energjisë së shpenzuar mund të çonte në lëshimin e materialit radioaktiv në atmosferë. Prej që morën kontrollin e stacionit të energjisë në muajin mars, rusët kanë nisur të ndërtojnë një strehimore betoni mbi energjinë e shpenzuar, por zyrtarët ukrainas thonë që po ndërtohet pa ndjekur protokollet ndërkombëtare të sigurisë.

Më herët gjatë kësaj jave, ministri i mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, akuzoi Ukrainën për “terrorizëm nuklear” duke thënë që forcat e saj të armatosura kishin gjuajtur 33 granata të kalibrit të madh në centralin e Zaporizhzhias përgjatë dy javëve të kaluara. Raporti i fundit nga Agjencia e OKB-së për Energji Atomike (IAEA), dhe e cila i ka katër inspektorë në vendin e okupuar nga rusët, tha të premten se nuk kishte pasur bombardime në central prej 20 nëntorit.

Petro Kotin, presidenti i Energoatomit, pretendon që bombardimet e zonës përreth reaktorëve nuklearë janë sulme të rreme të kryera nga forcat okupatore ruse.

“Ata i kanë dy kamionë specialë, për të cilët e dimë se mbajnë mortaja brenda, e të cilat futen pastaj në pyll dhe secilën herë që shkojnë aty, ka bombardime rreth impiantit,” – u shpreh Kotin për the Guardian.

Dmytro Orlov, kryetari i Enerhodarit, qytetit në afërsi të centralit bërthamor që strehon punëtorët e saj, pretendoi se kishte prova shtesë që bombardimet po vinin nga pala ruse. Ai pretendoi se rusët po e bënin që t’i frikësonin njerëzit, për t’ju thënë më pas se ata po i mbronin nga ukrainasit.

Nuk ishte e mundur të verifikoheshin pretendimet e Kotinit dhe Orlovit për bombardimet e as kundër-pretendimet e Moskës. Imazhet nga sateliti, megjithatë, kanë konfirmuar që ushtria ruse po vendos pajisje ushtarake brenda centralit.

Inspektorët e IAEA-s në vend të ngjarjes mund ta përcaktonin teorikisht trajektoren e raketave apo granatave por kjo punë nuk është brenda mandatit të tyre.

Ndërkohë, ka një kërcënim sigurie edhe brenda vetë impiantit: ulja e vazhdueshme e fuqisë punëtore përgjatë 10 muajve të konfliktit. Shumë punëtorë kyç janë larguar për shkak të rreziqeve ndaj familjeve të tyre apo sepse thjesht refuzojnë të punojnë për rusët. Prej 11 mijë punëtorëve para invazionit rus, vetëm 4000 kanë mbetur. Në një përpjekje për të ndalur eksodin, rusët kanë qarkulluar lista të stafit të centralit te të gjitha pikat e kontrollit të ushtrisë në rajon me urdhëra që të mos i lejojnë të ikin. Por, ishte shumë vonë.

“Në disa raste, veç tre punëtorë mbulojnë një ndërrim ku duhen shtatë-a-tetë punëtorë.” – tha Orlovi.

Stresi shtohet edhe kur punon nën okupim, natyrisht.

Mbajtja e reaktorëve në këtë gjendje është e vështirë dhe një proces shumë delikat, që shton barrën ndaj operatorëve. Situata mund të përkeqësohet edhe më tej. Centrali i Zaporizhzhias është i lidhur tash për tash me rrjetin elektrik të Ukrainës, por ka pasur raste kur linjat e transmisionit ishin prishut nga bombardimet, duke e detyruar centralin që të operonte me gjeneratorët dizell që të mbante sistemet e ftohjes duke funksionuar dhe të parandalonte rrjedhjen e uraniumit që të shkrihej.

Nëse lidhja me rrjetin elektrik prishet prapë, do të shtonte presionin te fuqia e vogël punëtore dhe te gjeneratorët, e të cilat janë dizajnuar thjesht si rezervë e përkohshme. Atyre iu duhet mirëmbajtja dhe askush s’e di sa dizell ka mbetur. Sapo gjeneratorët e dizellit të dështojnë, shkrirja do të niste për çështje orësh.

“Ata që kanë mbetur në pozitat e tyre po bëjnë të pamundur që t’i mbajnë gjërat të sigurta. Ata e kanë dëshmuar profesionalizmin e tyre te krejt bota,” tha Melynchuk. “Edhe pa okupimin, do të ishte tepër e zorshme fizikisht dhe psikologjikisht të operohej centrali me nivelin aktual të stafit. Por nëse shtoni presion te okupatorët, atëherë do të jetë edhe më e vështirë.”

Lajme të ngjashme