Vdiq ushtari polak që ishte therur me thikë nga një emigrant në kufirin me Bjellorusinë
Një ushtar polak, që ishte therur nga një emigrant në kufirin me Bjellorusinë, ka vdekur, tha të enjten komanda e ushtrisë polake.
Ushtari, i identifikuar vetëm me emrin Mateusz, u ther nga ana tjetër e një rrethoje metalike pesë metra të lartë përderisa po e patrullonte kufirin, thanë mediat lokale, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Ushtria polake raportoi edhe për dy sulme të tjera ndaj trupave të saj në kufi javën e kaluar.
Një ushtar u ther me një thikë të ngjitur në një shkop dhe një tjetër pësoi lëndime në fytyrë, pasi u sulmua me një shishe të thyer.
Polonia e ka akuzuar Rusinë për orkestrimin e fluksit të emigrantëve drejt saj përmes aleates së Kremlinit, Bjellorusisë.
Pas therjes së ushtarit tashmë të vdekur, kryeministri polak, Donald Tusk, kishte paralajmëruar për rivendosjen e një zone neutrale 200-metërshe në kufirin me Bjellorusinë.
Një zonë neutrale, me të cilën publikut dhe punëtorëve të ndihmave nuk u lejohej afrimi te kufiri, ishte vendosur fillimit në vitin 2021 nga qeveria e udhëhequr nga partia nacionaliste, PiS.
Në atë kohë, mbrojtësit e të drejtave të njeriut e kishin kritikuar vendimin, sepse, sipas tyre, ai i pengonte përpjekjet për t’i ndihmuar emigrantët, përfshirë gra e fëmijë, që kishin mbetur të ngujuar në kufi.
Javëve të fundit është shënuar rritje e numrit të emigrantëve që janë munduar të kalojnë ilegalisht dhe rojat kufitare kanë raportuar për disa incidente të dhunshme.