Vdesin në aksident me helikopter katër anëtarë të familjes së kandidatit për guvernator të Illinoit - NACIONALE

Vdesin në aksident me helikopter katër anëtarë të familjes së kandidatit për guvernator të Illinoit

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Katër anëtarë të familjes së një kandidati të Partisë Republikane të ShBA-së për guvernator të shtetit Illinoi e kanë humbur jetën në një aksident me helikopter në Montana, thanë të enjten zyrtarët e fushatës së tij.

Djali, reja, nipi dhe mbesa e ish-ligjvënësit shtetëror, Darren Bailey, i cili po e synon nominimin e partisë për garën e vitit të ardhshëm, e humbën jetën në aksidentin që ndodhi të mërkurën. Bailey më parë ka shërbyer në të dyja dhomat e Kongresit shtetëror – në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Djali Zachary, bashkëshortja e tij Kelsey dhe dy fëmijët e tyre, Vada Rose, 12 vjeçe, dhe Samuel, 7 vjeç, vdiqën në aksidentin që ndodhi në një zonë të largët në lindje të Montanas, thuhet në deklaratën e zyrtarëve të fushatës së Bailey-t. Fëmija i tretë i çiftit nuk ndodhej në helikopter.

“Darren dhe Cindy janë zemërthyer nga kjo humbje e paimagjinueshme. Ata po gjejnë ngushëllim në besimin dhe në familjen e tyre si dhe në lutjet e aq shumë njerëzve që i duan dhe kujdesen për ta” – thuhet në deklaratë.

Zachary Bailey ishte duke e drejtuar helikopterin në momentin e rrëzimit, tha Aaron Del Mar, që po shërben si zëdhënës i familjes.

Ata kishin shkuar në Montanta në një udhëtim për biznes në mënyrë që Zachary Bailey të mund ta zgjeronte përdorimin e helikopterëve si pjesë e biznesit bujqësor të familjes, tha Del Mar.

Lajme të ngjashme