Vdes në moshën 102 vjeçare roja i kampit nazist, Josef Schütz
Ka vdekur në moshën 102-vjeçare personi më i vjetër i dënuar për krime të kryera gjatë Holokaustit, Josef Schütz.
Schütz ishte shpallur fajtor qershorin e kaluar për asistim në vrasjen e mijëra të burgosurve në Sachsenhausen afër Berlinit midis 1942 dhe 1945.
Ai u dënua me pesë vjet burg, por mbeti i lirë ndërsa priste rezultatin e një apeli në Gjykatën Federale të Drejtësisë. Sipas BBC-së, ai e kishte mohuar gjithmonë se ishte roje SS në kampin nazist të përqendrimit, megjithatë, u shpall fajtor për ndihmë dhe nxitje në vrasjen e 3518 personave. Ai ishte gjithashtu bashkëpunëtor në pushkatimin e robërve sovjetikë të luftës dhe vrasjen e të tjerëve me gazin Zyklon B.
Kujtojmë se dhjetëra mijëra njerëz vdiqën në Sachsenhausen gjatë Luftës së Dytë Botërore nga uria, puna e detyruar, eksperimentet mjekësore dhe vrasja nga SS. Atje po ashtu janë burgosur më shumë se 200 mijë njerëz, përfshirë të burgosur politikë, hebrenj, romë e të tjerë.
Bëhet e ditur se gjatë gjyqit të tij, Schütz nuk ka shprehur keqardhje, duke i thënë gjykatës gjermane: "Unë nuk e di pse jam ulur këtu në koshin e mëkatit. Unë me të vërtetë nuk kisha asnjë lidhje me të."
Dihet se Gjermania është përpjekur të sjellë në gjykatë ish-kriminelët nazistë të luftës pas një rasti historik në vitin 2011, në të cilin ish-roja SS John Demjanjuk u shpall fajtor. Ky vendim më pas nxiti kërkime për individë që ishin ende gjallë nga ajo kohë.
Katër vjet më vonë, i ashtuquajturi "kontabilisti i Aushvicit", Oskar Gröning, u dënua me katër vjet burg. Por, ashtu si Schütz, ai nuk ka kaluar asnjë ditë në burg për shkak të apelimeve dhe ka vdekur në vitin 2018.
Po ashtu në muajin dhjetor një ish-sekretare e kampit të përqendrimit, 97-vjeçarja, Irmgard Furchner, u bë gruaja e parë që u gjykua për krime naziste. Ajo u shpall fajtore për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 10,500 njerëzve në kampin Stutthof, pranë qytetit të Danzig (Gdansk i sotëm në Poloni).

