Vdekja duhet të shihet si fillim i ri, shkroi Papa Françesku në hyrjen e librit që botohet së shpejti
Vdekja nuk duhet të shihet si fundi i jetës, por si fillim i përjetësisë, tha Papa Françesku në fjalët që i shkroi vetëm disa ditë para hospitalizimit të fundit në hyrjen e një libri që pritet të botohet këtë javë.
Papa 88-vjeçar vdiq të hënën nga sulmi në tru dhe arresti kardiak, duke i dhënë fund një udhëheqësie turbulente në të cilën u përplas në mënyrë të përsëritur me tradicionalistët dhe i mbrojti të varfrit dhe të margjinalizuarit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Françesku kaloi pesë javë në spital më herët këtë vit për shkak të pneumonisë së dyfishtë, por u kthye në shtëpinë e tij në Vatikan para gati një muaji dhe dukej se po e merrte veten.
“Vdekja nuk është fundi i çdo gjëje, por fillimi i diçkaje. Është një fillim i ri… sepse jeta e përhershme, të cilën ata që dashurojnë tashmë fillojnë ta përjetojnë në tokë, është fillimi i diçkaje që nuk do të përfundojë kurrë” – shkroi ai në librin rreth moshës së shtyrë, autor i së cilit është kardinali Angelo Scola.
“Për këtë arsye, ajo [vdekja] është një fillim “i ri”, sepse ne do të jetojmë diçka që nuk e kemi jetuar kurrë më parë: përjetësinë” – shtoi Papa Françesku.
Ai disa herë ka thënë se vdekja nuk është temë që duhet të shmanget.
Në një mesazh për të rinjtë që ishin mbledhur në Mexico City më 2019, ai kishte thënë se “çështja e vdekjes është çështje e jetës”, duke theksuar se ballafaqimi me këtë temë i ndihmon njerëzit që ta vlerësojnë vërtet vlerën e jetës.