Vazhdon për ditën e tretë beteja e trupave ukrainase në Kursk të Rusisë
Forcat ruse po luftonin kundër trupave ukrainase për ditën e tretë të enjten, pasi këto të fundit e kaluan kufirin rus në rajonin Kursk, në një sulm të guximshëm ndaj fuqisë më të madhe bërthamore në botë, që e ka detyruar Moskën t’i thërrasë në detyrë rezervistët.
Në njërin prej sulmeve më të mëdha ukrainase kundër Rusisë në luftën e nisur në dimrin e vitit 2022, rreth një mijë trupa ukrainase e kaluan kufirin rus në orët e hershme të së martës me tanke e automjete të blinduara, të mbuluar nga ajri me dronë e artileri, sipas zyrtarëve rusë, raporton agjencia “Reuters”.
Forcat ukrainase u shpërndanë nëpër fusha e pyje të kufirit drejt veriut të qytezës kufitare ruse, Sudzha, pika e fundit operacionale e transitit të gazit natyror rus drejt Evropës përmes Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quajti sulmin “provokim të madh”. Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara nuk kishin njohuri paraprake për këtë sulm dhe se do të kërkonin më shumë hollësi nga Kievi.
Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, i tha Putinit të mërkurën se ofensiva ukrainase ishte ndalur në zonën kufitare.
Megjithatë, shumë blogerë ushtarakë pro-rusë thanë se betejat vazhduan në orët e së enjtes dhe se civilët po evakuoheshin.
“Sudzha në thelb është e humbur për ne dhe kjo është një qendër e rëndësishme logjistike” – tha Yuri Podolyaka, bloger i njohur ushtarak pro-rus, duke shtuar se forcat ruse po bënin shtytje në veri, drejt qytezës Lgov.
“Në përgjithësi, situata është e vështirë dhe vazhdon që të përkeqësohet, pavarësisht nga fakti se ritmi i ofensivës ukrainase ka rënë dukshëm” – tha më tej blogeri pro-rus.
Ushtria ukrainase ka qëndruar e heshtur për ofensivën në Kursk. Disa blogerë rusë e kritikuan gjendjen e mbrojtjes kufitare në atë rajon, duke thënë se kishte qenë tepër lehtë për forcat ukrainase që ta kalonin mbrojtjen./Nacionale