Arrestohet i dyshuari për pengmarrje në Holandë, lirohet pengu i fundit - NACIONALE

Arrestohet i dyshuari për pengmarrje në Holandë, lirohet pengu i fundit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

(E plotësuar) Një dramë me pengje në një klub nate në Holandë mori fund të shtunën, kur policia e arrestoi burrin me maskë, pasi ai doli nga objekti.

“Pengu i fundit porsa është liruar. Një person është arrestuar. Nuk mund të ndajmë më shumë informata në këtë kohë” – thuhet në një deklaratë të policisë, raporton agjencia “Reuters”.

Gazetarët në vendin e ngjarjes thanë se një burrë doli nga klubi i natës duke i mbajtur duart lart, pastaj u ndalua dhe u fut në një veturë të policisë.

__________

(13:00) Situata me pengjet në një klub nate në qytezën lindore holandeze, Ede, po vazhdon të shtunë, ndërsa tre persona janë liruar, thuhet në një deklaratë të policisë.

Një person i armatosur mori peng disa persona më herët të shtunën dhe kërcënoi se do të aktivizonte një bombë, thuhet në raportimet e mediave, përcjell agjencia “Reuters”.

Nuk qe e qartë se sa shumë njerëz po mbaheshin ende peng, pasi tre punëtorë të klubit të natës u panë duke u larguar nga vendi i ngjarjes me duart e tyre mbi kokë.

Policia tha se nuk kishte treguar për ndonjë motiv terrorist.

Disa njësi speciale policore u dislokuan në vendin e ngjarjes, ndërtesë në qendër të qytezës, tha policia, duke shtuar se 150 shtëpi ishin evakuuar dhe se publikut i është kërkuar që të qëndrojë larg zonës.

Njerëzit po mbahen në klubin e natës “Petticoat” nga një burrë me armë e mjete shpërthyese, raportoi gazeta “Telegraaf”, duke cituar burime anonime.

Një reporter i televizionit NOS tha se një robot me kontroll nga distanca është në vendin e ngjarjes si dhe njësi të policisë kundër mjeteve shpërthyese.

Operatori i hekurudhave NS tha se trenat nga Ede dhe drejt këtij vendbanimi janë anuluar.

Lajme të ngjashme