Vazhdon kërkimi i nëndetëses së zhdukur në Atlantik, po luftohet kundër kohës - NACIONALE

Vazhdon kërkimi i nëndetëses së zhdukur në Atlantik, po luftohet kundër kohës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet janë duke i përdorur të gjitha burimet që i kanë në dispozicion për ta kërkuar nëndetësen me pesë persona që u zhduk në Oqeanin Atlantik. Ata ishin nisur drejt mbetjeve të anijes së famshme të Titanikut.

Nëndetësja e zhdukur operohet nga kompania “OceanGate Expeditions” dhe kontakti me të u humb një orë e 45 minuta pas fillimit të zhytjes të dielën pasdite, tha roja bregdetare amerikane.

Kapaciteti i nëndetëses për të qëndruar nën ujë është 96 orë, por nuk qe e qartë nëse ajo ishte ende nën ujë ose mbi të dhe nuk kishte mundësi të vendoste kontakt, raporton gazeta “The Guardian”.

“Është një zonë e largët dhe është sfidë për të kryer kërkim në atë zonë të largët, por ne po i dislokojmë të gjitha asetet në dispozicion për t’u siguruar që të mund ta lokalizojmë nëndetësen dhe t’i shpëtojmë njerëzit brenda saj”- tha të hënën një komandant i rojës bregdetare amerikane.

Anija mbështetëse e nëndetëses “Titan”, akullthyesja hulumtuese kanadeze “Polar Prince” do ta vazhdonte kërkimin mbi sipërfaqe gjatë mbrëmjes dhe aeroplani kanadez “P8 Poseidon” do ta vazhdojë kërkimin në mëngjes, tha të hënën vonë roja bregdetare.

David Concannon, këshilltar në kompaninë “OceanGate”, tha se furnizimi 96-orësh me oksigjen në nëndetëse ka filluar rreth orës 6 të mëngjesit të dielën. Ai tha se duhej të ishte në nëndetëse, por nuk mundi të shkonte për shkak të një çështjeje me një klient tjetër.

Ai tha se zyrtarët ishin duke punuar për të siguruar një automjet që operohet nga largësia dhe i cili do të mund të zhytej në thellësinë prej 6 mijë metrash në vendin e zhdukjes së nëndetëses sa më shpejt që është e mundshme.

Njëri prej personave që besohet se ndodhet në nëndetëse është Paul Henry Nargeolet, ish-komandant i forcave detare franceze, zhytës në thellësi të madhe dhe drejtues nëndetësesh.

Lajme të ngjashme