Vazhdon acari i ashpër në Skandinavi e Rusi, stuhi e vërshime në Evropë Perëndimore - NACIONALE

Vazhdon acari i ashpër në Skandinavi e Rusi, stuhi e vërshime në Evropë Perëndimore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Acari i ashpër dhe stuhitë e borës e kanë penguar transportin dhe kanë shkaktuar mbyllje të shkollave në Skandinavi, ndërsa era e fuqishme dhe reshjet e dendura të shiut në pjesën perëndimore të Evropës kanë shkaktuar vërshime dhe të paktën një viktimë.

Temperatura ra nën -40 gradë Celsius në pjesën veriore të Evropës për ditën e dytë radhazi të mërkurën. Në Kvikkjokk-Arrenjarka, në veri të Suedisë, temperatura ra në -43,6 gradë, që ishte temperatura më e ulët në janar që është regjistruar në Suedi në 25 vitet e fundit, sipas agjencisë suedeze të lajmeve, TT.

Temperaturat shumë të ulëta, bora e era e penguan transportin në mbarë rajonin nordik. Disa ura u mbyllën dhe disa shërbime të trenave e trageteve u pezulluan. Disa shkolla në Skandinavi janë mbyllur, raporton gazeta “The Guardian”.

Policia në pjesën më të madhe të Danimarkës u bëri thirrje drejtuesve të automjeteve për t’i shmangur udhëtimet e panevojshme, pasi era dhe bora i goditën pjesët veriore e perëndimore të vendit.

Vala e ajrit të ftohtë nga Siberia e Arktiku ka arritur edhe në perëndim të Rusisë. Temperatura në Moskë e në zona të tjera ka rënë në -30 gradë, dukshëm më poshtë se temperatura mesatare për pjesën e parë të janarit.

Zyrtarët në Moskë, Shën Petersburg e në zona të tjera kanë lëshuar paralajmërime me ngjyrë portokalli për motin, duke i njoftuar banorët për rreziqe të mundshme ndaj shëndetit.

Britani, një drejtues automjeti vdiq, pasi një dru ra mbi veturën e tij në perëndim të Anglisë. Policia një Gloucestershire tha se burri vdiq në incidentin afër qytezës Kemble të martën pasdite.

Stuhia e emërtuar “Henk” nga shërbimet zyrtare të motit në Britani, Irlandë e Holandë, ka shkaktuar ndërprerje të rrymës, pengesa në transport, dëme ndaj pronave e pengesa të tjera në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.

Lajme të ngjashme