Vazhdojnë zjarret në Evropë, angazhohen mijëra zjarrfikës - NACIONALE

Vazhdojnë zjarret në Evropë, angazhohen mijëra zjarrfikës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zjarret në natyrë në pjesë të ndryshme të Evropës po vazhdojnë edhe të enjten. Mijëra zjarrfikës po punojnë për t’i luftuar flakët në disa shtete.

Rreth 1.000 zjarrfikës, të mbështetur nga gjashtë aeroplanë, janë angazhuar për të vënë nën kontroll dy zjarre në natyrë në pjesën jugperëndimore të Francës, ku tashmë është djegur një sipërfaqe prej gati 4.000 hektarësh.

“Zjarret ende nuk janë nën kontroll, nuk është raportuar për pasoja në njerëz”, thanë autoritetet lokale në distriktin francez, Gironde, ku zjarret shpërthyen të martën.

“Nga fillimi i vitit, 15.000 hektarë janë djegur në vend, në krahasim me pak më pak se 1.000 hektarë në datën e njëjtë të vitit të kaluar... nëntë nga dhjetë zjarre kanë shkaktar njerëzor”, tha para gazetarëve ministri i Punëve të Brendshme i Francës, Gerald Darmanin.

Më i madhi nga dy zjarret në Gironte po përhapet përreth qytezës Landiras, në jug të Bordosë, ku rrugët janë bllokuar dhe 500 banorë janë evakuuar. Tashmë atje janë djegur 2.100 hektarë tokë, shkruan "Independent".

Në pjesë të tjera të Evropës, mijëra zjarrfikës luftuan kundër më shumë se 20 zjarreve të mërkurën në Portugali e në pjesën perëndimore të Spanjës, duke dëmtuar fshatra dhe duke i penguar pushimet e turistëve në kohën e një vale të re të vapës, kur temperaturat kanë shkuar në mbi 45 gradë në disa pjesë të rajonit.

Agjencia meteorologjike e Spanjës AEMET lëshoi ​​një paralajmërim të mërkurën për 16 nga gjithsej 17 rajone pasi vendi u godit nga një valë të nxehti.

Termometri tregon 44 gradë Celsius në hije në disa pjesë të vendit dhe vetëm Ishujt Kanarie në brigjet e Afrikës veriperëndimore janë të shpëtuar nga të nxehtit e fortë.

Raportime për zjarre në natyrë pati edhe në Kroaci. Një zjarr i madh ka rënë në afërsi të Vodice dhe ndërtesat janë në rrezik. Zjarri ka rënë në afërsi të Mrdakovicës në Cesta e Benkovaçkës dhe raportimi ka ardhur në orën 11:14. Një zjarr tjetër i madh ka ndodhur edhe në Zaton, jo larg Shibenikut, dhe vazhdon të përhapet më tej me një shpejtësi të madhe.

Evakuimi i banorëve të Raslinës dhe Zatonit nga deti drejt Bilicës është duke u zhvilluar, transmeton Sibenik.in. Banorët po largohen me gomone të shpejta. Në faqen e Komunës së Bilicës, ata ftojnë banorët e Bilicës që të mirëpresin njerëzit në shtëpitë e tyre.

Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Civile të qytetit të Shibenikut, Danijel Mileta, ka thënë për portalin Shibenik se ende nuk ka filluar evakuimi zyrtar i popullsisë, por se situata është duke u monitoruar.

Lajme të ngjashme